Një person është vënë nën arrest në Kakavijë, pasi ka provuar të ndihmonte një shtetase 17-vjeçare, të hynte në territorin shqiptar në mënyrë të parregullt.
Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Kufitare Kakavijë dhe shërbimet e FRONTEX-it, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive në këtë pikë të kalimit kufitar, bazuar dhe në inteligjencën informative, organizuan dhe finalizuan operacionin policor “Front”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi:
M. G., 33 vjeç, banues në Fier, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.
Ky shtetas është kapur në flagrancë në PPK Kakavijë, duke tentuar të ndihmonte për të hyrë në mënyrë të parregullt, në territorin e Republikës së Shqipërisë, një shtetase 17-vjeçare, të cilin e kishte shoqëruar nga Athina në Kakavijë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1 aparat celular dhe një shumë parash.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.