Protestuesit hoqën flamurin e Ambasadës së Vatikanit, reagon Ministria e Jashtme: Autorët do të përgjigjen para ligjit

Ministria për Evropën dhe Punët e jashtme ka reaguar pas heqjes së flamurit në Ambasadën Vatikanit.

Në deklaratën e saj ministria thekson se heqja e flamurit tek selia e Nunciaturës Apostolike në Tiranë ishte një akt vandal dhe se autorët duhet të përgjigjen para ligjit.

Deklarata e plotë:

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dënon aktet e vandalizmit të ushtruara dje tek selia e Nunciaturës Apostolike në Tiranë, përfshirë heqjen e flamurit të Selisë së Shenjtë.

Respektimi i paprekshmërisë dhe dinjitetit të përfaqësive diplomatike është një detyrim themelor, në përputhje me legjislacionin shqiptar dhe të drejtën ndërkombëtare.

E drejta për të protestuar është pjesë e pandashme e një shoqërie demokratike, por ushtrimi i saj duhet të respektojë ligjin dhe të përjashtojë çdo formë dhune apo vandalizmi. Autorët e akteve të paligjshme duhet të identifikohen dhe të përgjigjen përpara ligjit.

Ministria vlerëson reagimin e Policisë së Shtetit dhe shpreh besimin se institucionet kompetente do të zbardhin plotësisht ngjarjen dhe së bashku me institucionet e përfshira, do të garantojë sigurinë dhe paprekshmërinë e të gjitha përfaqësive diplomatike në Shqipëri.

Të Fundit