Protestë në Shkodër për vrasjen e Klodian Rashës, arrestohen dy të rinj, policia rrethon bashkinë dhe prefekturën

Sot qytetarët shkodranë zhvilluan një protestë prej 30 minuta për vrasjen e Klodian Rashës.

Protestuesit u grumbulluan te sheshi “Nënë Tereza” në qytet dhe situata ishte e qetë.

Prania e njerëzve në këtë protestë ishte e ulët dhe mes të pranishmeve ishin të rinj të forumeve rinore, aktorë dhe qytetarë, të cilët morën pjesë në protestën e kaluar.

Në duar protestuesit mbanin pankartat: “Nuk jemi popull i varfër, jemi popull i vjedhur dhe i vrarë”, “Më në fund kemi shtet, ditën të puth dhe natën të vret”.

Ndërkohë një mësuese që mori pjesë në protestë u shpreh  se qëllimi i këtij marshimi nuk është dhuna.

“Nisma jonë si herën tjetër dhe në çdo nismë që unë personalisht marr pjesë, absolutisht nuk është as dhuna, as shkatërrimi, as prishja. Nuk besoj që arrin gjë me këtë. Pavarësisht të gjithave unë nuk e justifikoj dhunën dhe pse nganjëherë unë e kuptoj mllefin. Herën tjetër ishin thjesht disa fëmije, që më vjen keq shumë për atë që ndodhi. E keqja e herës tjetër ishin të rritur që i panë dhe nuk i ndaluan”, u shpreh ajo për Euronews Albania.

Ndërkohë efektivët e policisë rrethuan dhe morën në mbrojtje institucionet, si bashkinë Shkodër dhe prefekturën.

Këta të fundit arrestuan edhe dy të rinj, që u kapën me shishe me benzinë në afërsi të gjykatës.

Marshimi i thirrur për protestë ndaj vrasjes së Klodian Rashës në Shkodër, i cili u zhvillua të shtunën e kaluar, përshkallëzoi në dhunë kur një grup të rinjsh iu drejtuan godinës së Partisë Socialiste në këtë qytet.

Këta të fundit shkatërruan godinën dhe i vunë flakën orendive të saj.

Për tensionet në Shkodër, Policia ka proceduar penalisht kryetaren e bashkisë, Voltana Ademi dhe 7 persona të tjerë si organizatorë të protestës.

Të Fundit