Presidenti Meta i dhuron Bibliotekës Kombëtare 12 libra autorësh arbëreshë

Pas vizitës zyrtare të presidentit Ilir Meta në rajonin e Sicilisë, ku u takua me komunitetin arbëresh, krerët fetarë, përfaqësuesit lokalë të zgjedhur prej tyre dhe me profesorët e Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe të Universitetit të Palermos, ai sot i dorëzoi Bibliotekës Kombëtare, 12 vepra të rëndësishme letrare me vlerë të madhe historike, letrare e gjuhësore, që iu bënë dhuratë atij gjatë vizitës në bashkësitë arbëreshe.

Disa nga veprat që presidenti Meta i dhuroi Bibliotekës Kombëtare ishin “Apologia Istorica” nga At Giorgio Guzzetta, botim i vitit 1722 në Napoli, dy vepra të Zef Skiroit, një prej të cilave “Të dheu i huaj”, botim i vitit 1940, që flet për arratisjen epike të shqiptarëve në shek. XV nga vendlindja e tyre dhe ardhjen e tyre në Siçili, si dhe librin “Canti Sacri delle Colonie Albanesi di Sicilia”.

Po ashtu, kreu i shtetit i dhuroi Bibliotekës Kombëtare edhe kryeveprën epike shqiptare “Lahuta e Malcis” – nga At Gjergj Fishta, një botim i vitit 1973 në gjuhën italiane, nga Qendra e Studimeve Shqiptare të Universitetit të Palermos, si dhe librin, studim kritik nën kujdesin e Profesorit të mirënjohur arbëresh Matteo Mandalà të veprës “E Mbsuame e Krështerë” të Lek Matranga të vitit 1592.

Libri “E Mbsuame e Krështerë” ka një rëndësi të veçantë historike, gjuhësore dhe letrare, duke qenë dokumenti më i vjetër në variantin toskë të letërsisë shqipe.

Të Fundit