Presidenti Begaj mesazh për 14 majin: Ju lutem flisni me votë, është momenti juaj

Presidenti Bajram Begaj përcolli mesazhin e tij dy ditë para zgjedhjeve të 14 majit duke bërë thirrje për të votuar.

Sipas tij është momenti që qytetarët të flasin me votë duke qenë se sipari i propozimeve që janë dëgjuar për disa javë gjatë fushatës elektorale është mbyllur.

“Të gjithë të angazhuarit në zgjedhje kanë folur si kanë dashur, kur kanë dashur dhe me intensitetin e paevitueshëm të propozimeve partiake. Tani të gjithë duhet të heshtin, sepse ju do të flisni! Dhe kjo është thelbësorja, vota juaj,” – u shpreh Begaj

Sipas tij, zgjedhjet vendore do iu japin mundësinë për të përmirësuar hapësirën e drejtpërdrejtë të jetesës.

“Ndaj ju lutem hidheni votën tuaj me përgjegjësi, pa e anashkaluar këtë moment shumë të rëndësishëm për qytetet e komunitetet tona. Votoni e sigurohuni që do të dëgjoheni nesër e në ditët në vijim,” – tha Begaj.

Presidenti u solli në vëmendje të gjithë drejtuesve të institucioneve të ngarkuara nga ligji për mbarëvajtjen e zgjedhjeve, përgjegjësinë e tyre të madhe të të qenit vendimtarë në mbrojtjen e votës dhe në konsolidimin e mëtejshëm të demokracisë.

Të Fundit