Ky fotomontazh i publikuar nga kryeministri Edi Rama në rrjetet sociale për të treguar fluksin e turistëve italianë këtë sezon në vendin tonë ka tërhequr vëmendjen e agjencive italiane të lajmeve. Në foto bëhej një krahasim mes eksodit të 20 mijë shqiptarëve me anijen “Vlora” në verën e vitit 1991 dhe tashmë trageteve të mbushur me turistë italianë që vijnë të pushojnë në plazhet shqiptare.
“Dhe prit prit, s’keni parë gjë akoma” – është komenti i kryeministrit shqiptar.
Nisur nga kjo, ANSA shkruan se kryeministri shqiptar parashikon një tjetër eksod duke parë çmimet e larta të Italisë së jugut duke nisur nga Pulja.
Ndërsa “Ti Xhi Kom”dhe “Korriere dela Sera” kujtojnë edhe debatet që pasuan pas mbërritjes së emigrantëve shqiptarë 32 vjet më parë në Bari.
Fluksit të turistëve italiane drejt Shqipërisë, mediat në vendin përtej Adriatikut po i kushtojnë vëmendje prej ditësh. Gazetat “La Republika” dhe “La Stampa” si dhe “Sky Italia” kanë vënë në dukje prenotimet e shumë italianeve në vendin tonë që thonë se kanë gjetur Maldivet në Shqipëri, por me çmime mjaft më të lira se në Greqi e Kroaci.
Sipas të dhënave zyrtare në 5 vitet e fundit, Shqipërinë e kanë vizituar 2.5 milionë italianë.