Polonia i jep 10 mijë euro dëmshpërblim nënës, i hoqi kujdestarinë se ishte LGBT

Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ka urdhëruar që qeveria polake të dëmshpërblejë me 10 mijë euro një nënë të cilës i hoqën kujdestarinë e fëmijëve pasi nisi një marrëdhënie homoseksuale.

Gjyqtarët deklaruan të enjten se Varshava kishte diskriminuar nënën në bazë të orientimit të saj seksual.

51-vjeçarja ishte ankuar në gjykatën e Strasburgut pak kohë më parë pasi kishte nisur një marrëdhënie me një grua dhe i ishte hequr kujdestaria e fëmijëve.

Pas divorcit nga burri i saj prej 12 vjetësh në 2005-ën gruaja kishte kujdestarinë e plotë të fëmijëve, por burri i saj aplikoi për të marrë kujdestarinë në tetor 2006.

Kur u mor vesh që ajo kishte filluar një lidhje me një grua tjetër, një gjykatë polake e qarkut e ndryshoi kujdestarinë.

Gruaja apeloi, duke argumentuar se ajo kishte qenë gjithmonë kujdestarja kryesore për fëmijët, por apeli u hodh poshtë në janar të vitit 2008.

“Orientimi seksual i nënës dhe marrëdhënia e saj me një grua tjetër ishin vazhdimisht në qendër të diskutimeve në çdo fazë të procedurave gjyqësore,” – thanë gjyqtarët e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Përfundimi ishte se gjykata polake kishte shkelur të drejtën e gruas në nenin 14 për respektimin e jetës private dhe familjare dhe nenin 9, të drejtën për të mos u diskriminuar. Shteti polak u urdhërua t’i paguante gruas dëmshpërblimin në para.

Të Fundit