Pesë vjet pasi u ekstradua në Shtetet e Bashkuara, baroni meksikan i drogës Joaquin “El Chapo” Guzman e ka drejtuar gishtin tek ata që, sipas tij, janë kokat e vërteta të narkotrafikut në aksin SHBA-Meksikë.
Përmes avokates Mariel Colon, një nga njerëzit e pakët që i lejohet kontakti me ish-liderin e kartelit Sinaloa, Guzman ka thënë se: “Që trafiku i drogës të ndalojë, autoritetet duhet të shkojnë pas politikanëve në të dyja anët e kufirit.”
“Prej vitesh, autoritetet i kanë arrestuar të dyshuarit si liderë të trafiqeve, por kjo nuk ka shërbyer për asgjë. Por nëse shkoni pas politikanëve që narkotrafikun e lejojnë, atëherë gjërat ndryshojnë”, ka deklaruar Colon për “Business Insider”.
Sipas saj, “Kjo është ajo çka “El Chapo” e ka thënë më parë dhe çka ai mendon”.
Përfaqësuesja ligjore e atij që konsiderohej trafikanti më i madh në botë, ka shtuar se Guzman është i vetëdijshëm se ai mund të jetë një instrument politik për qeverinë amerikane dhe atë meksikane.
“Çdo president i ri amerikan ka trofenë e tij. Me Trump ishte Chapo. Edhe Biden e ka gati trofenë e tij. Ka qenë gjithnjë çështje politike”, ka shtuar avokatja.
Në 2019-n, Guzman, aktualisht 65 vjeç, u dënua me burgim të përjetshëm për akuza të shumëfishta të lidhura me trafikun e drogës.
Që atëherë, ai mbahet në regjim izolimi në burgun “Florence”, një kompleks i sigurisë së lartë në Kolorado, i konsideruar ndër më të sigurtit në Shtetet e Bashkuara.