Policia bllokon të hënën rrugët e Tiranës, samiti Berlinit “mbyll” dhe bizneset

Zv.drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Sokol Bizhga ka prezantuar këtë të shtunë masat që janë ndërmarrë nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Gardën e Republikës, për garantimin e rendit publik, gjatë zhvillimit të Samitit të Procesit të Berlinit, më 16 Tetor.

Nisur nga rëndësia institucionale dhe nga impakti publik që ka ky event, Policia e Shtetit është e angazhuar në maksimumin e kapaciteteve të saj njerëzore dhe logjistike dhe ka hartuar një plan të detajuar masash, për garantimin e rendit publik, para, gjatë dhe pas Samitit të Procesit të Berlinit.

Në zbatim të detyrave ligjore, Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat, duke filluar nga pikat e kalimit kufitar, rrugëkalimet e delegacioneve, ambientin ku do të zhvillohet ky samit, si dhe për garantimin e rendit publik, në qytetin e Tiranës dhe në të gjithë territorin e vendit.

Masat e planifikuara nga Policia e Shtetit, për këtë aktivitet të rëndësishëm konsistojnë në disa plane, konkretisht:

  • Garantimi i rendit publik, para, gjatë dhe pas zhvillimit të Samitit;
  • Organizimi i shërbimeve policore, për sigurimin e të gjithë perimetrit të sigurisë së Samitit;
  • Sigurimi i delegacioneve përgjatë gjithë rrugëkalimit, nga Rinasi për në Tiranë;
  • Eskortimi i delegacioneve nga aeroporti i Rinasit, për në vendin e zhvillimit të Samitit në Tiranë, dhe në kthim për në Rinas;
  • Eskortimi i delegacioneve nga PKK Morinë, Kukës, për në vendin e zhvillimit të Samitit në Tiranë, dhe në kthim për në Morinë, Kukës;
  • Eskortimi i delegacioneve nga PKK Hani i Hotit, Shkodër, për në vendin e zhvillimit të Samitit në Tiranë, dhe në kthim për në Hanin e Hotit, Shkodër;
  • Sigurimi i rrugëkalimeve të shërbimeve të emergjencës;
  • Menaxhimi i trafikut rrugor në qytetin e Tiranës, para, gjatë dhe pas zhvillimit të Samitit, etj.

Policia e Shtetit dhe Garda e Republikës, për hartimin e Planit të Masave dhe për vendosjen e perimetrit të sigurisë për Samitin e Procesit të Berlinit, kanë bashkëpunuar edhe me ekspertë të sigurisë të vendeve të BE-së, me qëllim zbatimin e standardeve më të larta të sigurisë, gjatë zhvillimit të aktiviteteve të këtyre përmasave.

Gjithashtu, për të garantuar sigurinë e këtij aktiviteti, po bashkëpunohet me agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit në vend, si dhe me organizatat ndërkombëtare INTERPOL dhe EUROPOL, për shkembimin në kohë të informacioneve.

Po kështu, po bashkëpunohet me bashkinë e Tiranës, autoritetet e aeroportit të Rinasit, autoritetet e kontrollit të Aviacionit të Tiranës, Policinë Bashkiake të Tiranës, shërbimin zjarrfikës dhe qendrat spitalore të Tiranës, për mbarëvajtjen e tij.

Lëvizja e qytetarëve të Tiranës, më datë 16 tetor, do të afektohet drejtpërdrejt nga ky aktivitet me përmasa ndërkombëtare. Për garantimin e sigurisë, para, gjatë dhe pas zhvillimit të Samitit, është parashikuar ky perimetër sigurie:

  • Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga ura e Dajtit deri te sheshi “Nënë Tereza”;
  • Bulevardi “Bajram Curri” nga kryqëzimi me Rrugën e Elbasanit deri te kryqëzimi me rrugën “Ibrahim Rugova”;
  • Rruga “Papa Gjon Pali II”, “ETC-RTSH-Stadium”;
  • Rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i Liceut deri te rruga e “Elbasanit”;
  • Rruga “Mustafa Matohiti”, pranë shkollës “Kosova”;
  • Rruga “Jul Variboba”, pranë postës, në rrugën e Elbasanit dhe në rrugën “Papa Gjon Pali II”;
  • Rruga “Fatmir Haxhiu”, te ETC;
  • Rruga “Lekë Dukagjini”, nga sheshi “Frederik Shopen”, deri te stadiumi “Air Albania” dhe përreth stadiumit;
  • Rruga “Ukraina e lirë”.

Në këto akse rrugore, duke filluar ora 20:00 e datës 15 tetor deri në përfundim të Samitit, më datë 16 tetor, në orën 20:00, do të ndalohet parkimi, qarkullimi i automjeteve dhe qytetarëve, por do të lejohet vetëm lëvizja e qytetarëve që janë rezidentë në ambiente banimi brenda perimetrit të sigurisë.

Të gjitha bizneset private që ndodhen brenda perimetrit të sigurisë, ditën e hënë do të jenë të mbyllura.

Në rrugën “Papa Gjon Pali II”, nuk do të lejohet as lëvizja me këmbë, e qytetarëve.

Kufizimet e mësipërme janë në funksion të perimetrit të sigurisë për Samitin, ndaj Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për të respektuar kërkesat dhe procedurat ligjore, të normuara nga Policia e Shtetit.

Ndalim të qarkullimit të automjeteve, më datë 16 tetor, nga ora 08:00 deri në orën 12:00, dhe nga ora 15:30 deri në orën 20:00, do të ketë në akset rrugore:

  • Rinas – Mbikalimi i Kasharit – autostrada “Durrës – Tiranë” – ish-sheshi “Shqiponja” – Unaza e Tiranës – rrethrrotullimi i Saukut – rrethrrotullimi pranë Akademisë së Sigurisë – Pallati i Brigadave – rrethrrotullimi i qytetit “Studenti”, deri tek kryqëzimi me bulevardin “Bajram Curri”;
  • Bulevardi “Bajram Curri”, nga kryqëzimi me rrugën “Ibrahim Rugova”, deri te Rruga e Elbasanit (ky ndalim vlen për të gjitha llojet e mjeteve);
  • Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi me bulevardin “Zhan D’Ark” deri te sheshi “Nënë Tereza”;
  • E gjithë rruga “Papa Gjon Pali II”;
  • Rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi me Rrugën e Elbasanit, deri te kryqëzimi me rrugën “Ibrahim Rugova”.

Kufizime të qarkullimit të automjeteve të tonazhit të rëndë, do të ketë në aksin rrugor “Shkodër – Lezhë – Milot – Thumanë – Fushë Krujë – Vorë”.

Për të lehtësuar mbarëvajtjen e këtij aktiviteti të rëndësishëm, Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e të gjithë qytetarëve, që të reduktojnë në maksimum përdorimin dhe qarkullimin me automjete, gjatë kësaj dite, si dhe që të përdorin akse rrugore dhe drejtime të tjera lëvizjeje.

Të Fundit