Policia aksion kundër lojërave të fatit në Tiranë, 5 të arrestuar dhe 2 në kërkim

Policia e Shtetit ka zbuluar 4 raste të përshtatjes së ambienteve për zhvillimin e kundërligjshëm të lojërave të fatit në Tiranë, me makina elektronike dhe tavolina pokeri. Operacioni u zhvillua në bazë të informacioneve të siguruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ku bëhet me dije se të dhënat i kanë shkuar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita në email-n e tij zyrtar.

Gjatë operacionit të koduar “Fati i Lojërave”, u arrestuan 5 shtetas dhe u shpallën në kërkim 2 të tjerë, të dyshuar si pronarë, administratorë ose punonjës të këtyre ambienteve. Në kuadër të hetimeve dhe kontrolleve të ushtruara, u sekuestruan 16 kompjutera të përdorur për lojëra fati, tavolina pokeri si dhe sende të tjera që shërbenin për këtë veprimtari të paligjshme.

Në njoftimin e saj policia bën të ditur se u arrestua shtetasi Xh. K., 34 vjeç, në lokalin e të cilit u gjetën 5 njësi kompjuterike për lojëra fati. Gjithashtu u arrestuan shtetasit K. Ç., 47 vjeç dhe R. M., 42 vjeç, pasi në një lokal në pronësi të 47-vjeçarit, ku ishte i punësuar 42-vjeçari, u konstatuan 4 njësi kompjuterike të përdorura për këtë veprimtari.

Po ashtu, u arrestua shtetasi E. N., 49 vjeç, ndërsa u shpall në kërkim L. B., 32 vjeç, pasi në një ambient të administruar prej tij u gjetën 7 njësi kompjuterike për lojëra fati. Në një tjetër rast, u arrestua shtetasi K. V., 22 vjeç, ndërsa u shpall në kërkim F. V., 60 vjeç, pasi në ambientin në pronësi të këtij të fundit u gjetën tavolina pokeri dhe pajisje të tjera për organizimin e lojërave të fatit. 22-vjeçari u kap në flagrancë duke tentuar të prishë provat materiale.

Kontrollet kundër kësaj veprimtarie të paligjshme vijojnë në subjekte dhe ambiente të ndryshme, ndërsa materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

 

 

Të Fundit