Policia e Tiranës arrestoi këtë të premte 5 shtetas që u kapën në flagrancë duke organizuar lojëra në kundërshtim me ligjin, në një lokal në rrugën “Sami Frashëri”, në zonën e ish-Bllokut në kryeqytet.
Burime për media bëjnë me dije se në pranga përfunduan shtetasit Gentjan Murati, Dorian Sefa, Ndrec Lleshi, Hysni Llanaj Arbër Shehi.
Gjithashtu në gjendje të lirë u proceduan dhe 4 shtetas të tjerë, të cilët akuzohen për mokallëzim krimi.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1 tavolinë e përshtatur për lojëra fati dhe çipsa, aparate celulare, dhe shuma të ndryshme parash të përfituara nga kjo veprimtari.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
“Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan shtetasit G. M., 43 vjeç, D. Z., 40 vjeç, N. Ll., 43 vjeç, H. Ll., 38 vjeç, A. Sh., 38 vjeç, të gjithë banues në Tiranë, për veprën penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, parashikuar nga neni 197 i Kodit Penal.
Gjithashtu, u proceduan penalisht shtetasit:
G., 34 vjeç, A. S., 28 vjeç, B. M., 31 vjeç, të tre banues në Tiranë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal;
G., 39 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”, parashikuar nga neni 198 i Kodit Penal.
Gjatë kontrolleve të ushtruara, shërbimet e Policisë kanë kapur në flagrancë duke luajtur lojëra fati në kundërshtim me ligjin, shtetasit e arrestuar, në një lokal në administrim nga shtetasi L. G., ndërsa 3 shtetasit e proceduar në gjendje të lirë, kanë pasur dijeni për ushtrimin e kësaj veprimtarie dhe nuk kanë kallëzuar pranë organeve kompetente”, thuhet në njoftimin e policisë.