Banorët e fshatit Sang të Mirditës janë ngritur sot në protestë, duke kundërshtuar ndërtimin e një hidrocentrali, pasi sipas tyre, ju rrezikon jetën.
Mes protestuesve është edhe një e moshuar 87-vjeçare, e cila përcjell një mesazh të fortë.
E moshuara bën thirrje që mos të ndërtohet hidrocentrali, pasi sipas saj, nëse ju merret uji, më mirë t’ua marrin edhe shpirtin.
“Unë jam ma e vjetra këtu. Ne me këtë ujë e me këtë mal ke jetu, se ne nuk jemi vlerësu. Kemi ndenjur prej malit. Tash me na marrë dhe ujin. At’herë t’na marrin ne shpirtin! Jam 87 vjeçe”, thotë e moshuara.
Rreth 500 banorë dhe ish-banorë që kanë pronat e tyre në këto fshatra, kërkojnë që të ndalohen punimet pasi uji i këtyre burimeve është jetik për ta. “Me këtë bjeshkë e me këto ujëra, jam bërë 80 vjeç sot.”-deklaroi një tjetër banor.
Ata u shprehën se se do të protestojnë duke bllokuar Rrugën e Kombit.