Është identifikuar gruaja e cila pak ditë më parë tentoi të rrëmbente një vajzë të mitur vetëm 2 vjeçe në një supermarket në Tiranë.
Sipas njoftimit të policisë Rovena Baxhia, është 57 vjeç dhe dyshohet se vuan nga problemet e shëndetit mendor. Ndaj saj Policia ka nisur procedim në gjendje të lirë.
“Vetëm po luaja. I dhashë një çokollatë dhe dola jashtë”, mësohet të ketë thënë 57-vjeçarja para policisë duke pretenduar se nuk ka pasur si qëllim rrëmbimin e të miturës.
Pamjet e tentativës për rrëmbim janë publikuar në media, ajo duket se i qesh vajzës, e më pas e merr në krah e largohet nga supermarketi. Menjëherë pas saj del nga supermarketi edhe nëna e të miturës.
Ato kthehen së bashku brenda ambienteve të supermarketit e për fat të mirë, nëna arrin të marrë vajzën në kohë. Ka qenë i ati i vajzës së mitur ai i cili ka denoncuar rastin në polici.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të njoftimit të dhënë më datë 15.09.2024, i cili bën fjalë për një ngjarje të ndodhur në Rrugën e Barrikadave, ku brenda një marketi një shtetase ka marrë në krahë një të mitur 2-vjeçe, ka dalë nga marketi dhe më pas është rikthyer sërish, ju njoftojmë se:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 kanë identifikuar dhe shoqëruar në ambientet e Policisë shtetasen R. B., 57 vjeçe, banuese në Tiranë, e cila dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor.
Në vijim të veprimeve u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe nisi procedimi penal në gjendje të lirë për 57-vjeçaren, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, mbetur në tentativë, parashikuar nga neni 110/22 i Kodit Penal.
Materialet i kaluan Prokurorisë.