Në Dubai ka nisur puna për ngritjen e terminalit të aeroportit që sipas mediave të huaja, do të jetë më i madhi në botë. Kostoja? Plot 35 miliardë dollarë. Kryeministri i Dubait dhe nënpresidenti thanë të dielën se terminali i ri do të jetë 5 herë më i madh se aeroporti aktual ndërkombëtar i Dubait, me 260 milionë pasagjerë në vit.
“Sot, ne miratuam projektet për terminalin e ri të pasagjerëve në Aeroportin Ndërkombëtar. “Al Maktoum” do të gëzojë kapacitetin më të madh në botë, duke arritur deri në 260 milionë pasagjerë. Ai do të jetë 5 herë më i madh se aeroporti aktual ndërkombëtar i Dubait dhe të gjitha shërbimet do të transferohen tek ai në vitet e ardhshme. Teknologjitë e reja të aviacionit do të përdoren për herë të parë në këtë sektor. Ky aeroport do të presë kompanitë lider në botë në sektorin e transportit ajror. Do të ndërtojmë një qytet të tërë përreth tij. Është një projekt për brezat e ardhshëm, për fëmijët tanë. Do të jetë padyshim qendra e re globale”, ka shkruar në rrjetin social “X” Sheikh Mohammed.
Pasi të përfundojë, Aeroporti Ndërkombëtar “Al Maktoum”, puna për zgjerimin e të cilit nisi në 2010-ën, ai do të ketë 5 pista paralele dhe 400 porta avionësh.