TIRANË
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se do të nisë zbatimi i një kornize ligjore për hapësirat në plazhe. Duke marrë shkas nga ngjarja e fundit në bregdetin e Velipojës, ku 4 persona u vranë pas përplasjes për hapësirat në plazhe, Rama tha se policia do të jetë e pranishme në të gjithë vijën bregdetare, teksa i bëri thirrje subjekteve që nuk kanë dokumentacionin të largohen nga sipërfaqet që nuk iu takojnë.
“Duke krijuar konfuzion dhe duke krijuar premisa për konflikte. Një gjë është e padiskutueshme se ajo çka është përcaktuar si kornizë e këtij procesi do të zbatohet me hir ose me pahir. Dua që t’i bëj thirrje të gjitha atyre subjekteve që nuk janë në rregull me dokumentacionin dhe që kanë operuar me teorinë e faktit të kryer që ta largohen nga sipërfaqet që nuk iu takojnë me lidh dhe me rregull. policia do jetë e pranishme në të gjithë vijën bregdetare dhe do të konfiskojë çdo çadër, strukturë që nuk është e përputhur me bazën dokumentare të subjektit. Plazhet janë të popullit, të qytetarëve. Kjo skemë e re e administrimit të hapësirës së plazheve ka krijuar më shumë të ardhura për sektorin publik dhe më shumë hapësira për qytetarët që nuk dëshirojnë të jenë pjesë e hapësirave ku plazhi administrohet nga privati. Besoj që përtej disa rasteve që janë bërë publike dhe disave që nuk janë bërë publike, në tërësi baza është pozitive, por në ditët në vijim kjo bazë duhet konsultuar, që piku i sezonit, korriku dhe gushti të jenë të garantuara në këtë aspekt. Subjektet që nuk janë aty ku janë vendosur me teorinë e faktit të kryer do të largohen vetë dhe të mos humbasin dhe atë bazë materiale që kanë siguruar për aktivitetin e tyre sepse ajo do t’u merret si mjet uzurpimi i paligjshëm”, deklaroi Rama.