Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër ka pezulluar nga detyra Nënkomisarin Prel Milani, i cili shërbente si specialist për Hetimin e Krimeve në Komisariat. Ky vendim erdhi menjëherë pas publikimit në rrjetin social Facebook të një shkrimi me nota politike nga ana e oficerit të policisë, i cili më pas u shpërnda edhe nga një portal informativ.
Sipas njoftimit zyrtar, postimi përbën shkelje të Ligjit nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”, konkretisht në aspektin e veprimeve që dëmtojnë imazhin e punonjësit të policisë dhe institucionit që ai përfaqëson. “Ky shkrim është në kundërshtim me rregullat dhe normat e sjelljes që kërkohen për shkak të funksionit,” thuhet në deklaratë.
Përveç pezullimit nga detyra, ndaj Nënkomisar Milanit është hapur edhe një hetim disiplinor nga Drejtoria e Standardeve Profesionale pranë Policisë së Shtetit. Shkeljet për të cilat ai po hetohet lidhen me nenin 121 të ligjit të sipërpërmendur, konkretisht:
pika 1, germa “m”: Kryerja e veprimeve që cenojnë rëndë figurën e punonjësit të policisë, institucionin apo shërbimin policor në tërësi;
pika 2, germa “a”: Shkelja e rregullave të papajtueshmërisë me funksionin ose të kufizimeve për shkak të funksionit.
Në përmbyllje të deklaratës, Policia e Shtetit thekson angazhimin e saj të palëkundur në respektimin e ligjit dhe garantimin e rendit, veçanërisht gjatë procesit zgjedhor. Ajo rikujton se, në bazë të nenit 6 të Ligjit nr. 82/2024, është një institucion i depolitizuar dhe i baraslarguar nga subjektet politike, në funksion të zbatimit të ligjit dhe në shërbim të qytetarëve.