Në edicionin e parë të lajmeve në Klan Neës me Iva Kalemin ka qenë i ftuar regjisori dhe producenti i njohur Petri Bozo së bashku me “Miss Shqipëria 2022”, Drita Ziri. Bozo ka folur për “Miss Globe” e cila zhvillohet në 15 Tetor në Teatrin e Operas.
I pyetur nga gazetarja Iva Kalemi nëse vajzat me ndërhyrje estetike bëjnë pjesë në këto evente, Bozo shprehet se tek “Miss Shqipëria” nuk pranohen vajza me ndërhyrje estetike, sepse dëshiron që çdokush të jetë natyrale. Ndërsa përsa i përket “Miss Globe”, nuk mund të vesh një rregull të tillë, pasi vajzat që vijnë nga vendet e huaja kanë kulturën e tyre dhe për to ndoshta këto ndërhyrje janë normë jetësore për to dhe i duket diçka shumë normale.
“Tek “Miss Shqipëria” nuk lejohet, ne kërkojmë një raport totalisht bio tek vajzat e “Miss Shqipërisë, me përjashtime shumë të vogla që janë pothuajse të parëndësishme. Ndërsa tek “Miss Globe”, nuk mund të ndërhysh dot në logjikën e perceptimit që kanë vajzat që vijnë nga shtetet e ndryshme.
Për shembull lato-amerikanet janë pothuajse të gjitha me ndërhyrje estetike, e kanë si normë jetësore, i duket një gjë krejt normale, kështu që është e pamundur të vesh rregulla të tilla në një event botëror sepse bie ndesh në raportin logjik jetësor të personazhit që vjen, aq më tepër që gjitha vajzat që konkurrojnë tek “Miss Globe”, përzgjidhen nga drejtorët e tyre.
Ata mbajnë përgjegjësinë në qoftë se shkelet një nga rregullat dhe kanë penalitetet e tyre në rastin konkret”, është shprehur Petri Bozo. /tvklan.al