Një aktor britanik foli për jetën e përtejme pasi kaloi 7 minuta i vdekur para se të ringjallej mrekullisht.
Shiv Grewal, 60 vjeç, pësoi arrest kardiak më 9 shkurt 2013, pasi kishte drekuar me gruan Alison pranë shtëpisë së tyre në Londrën juglindore.
Alison thirri shpejt një ambulancë për ndihmë, por ishte tepër vonë.
“E dija disi se kisha vdekur”, tha Grewal teksa përshkruante përvojën 7-minutëshe. “I ndjeja gjërat krejtësisht të ndara nga trupi im. Ishte sikur isha në një boshllëk, por kisha emocione dhe ndjesi”.
“Nuk kisha trup si të tillë. Ishte paksa si të notosh nëpër ujë, ndihesh pa peshë dhe i shkëputur nga bota fizike,” vazhdoi ai. “Në një moment, unë po udhëtoja mbi Hënë dhe mund të shihja gjithë hapësirën.”
Grewal shtoi se ai ndjente se kishte një sërë mundësish, jetësh të ndryshme dhe rimishërime që po i ofroheshin.
“Unë nuk i doja”, tha ai. “E bëra shumë të qartë se doja të kthehesha në trupin tim, në kohën time, te gruaja ime dhe të vazhdoja të jetoja.”
Një ambulancë mbërriti në vendngjarje dhe ndihmësmjekët ishin në gjendje të sillnin në jetë zemrën e Grewal.
Ai u dërgua me urgjencë në operacion për të vendosur një stent në arterien e tij kryesore, e cila ishte plotësisht e bllokuar .
Mjekët vendosën ta fusin atë në koma të induktuar për një muaj. Grewal e ka gjetur artin një mënyrë terapeutike për të eksploruar përvojën dhe tani po mban një ekspozitë me vepra që dokumentojnë vdekjen e tij.
Ndërsa aktori nuk është rikuperuar plotësisht nga ngjarja traumatike, ai tha se duke u përballur me vdekjen, perceptimi i tij për jetën është transformuar.
“Kujtova gjithçka që ndodhi kur zemra ime ndaloi dhe u përpoqa ta përkthej në art”, shpjegoi ai për ekspozitën e tij, të titulluar “Reboot”, e cila do të mbahet në hotelin Karma Sanctum Soho në Londër deri më 24 shtator.
“Unë kam më pak frikë nga vdekja për shkak se e përjetova, por në të njëjtën kohë, kam edhe më shumë frikë, sepse e kam kuptuar se sa e çmuar është gjithçka që kam në jetë,” tha Grewal.