Përfundon tuneli i Skërficës, kryebashkiaku i Gjirokastrës: Na bëtë me det

Këtë të hënë është hapur tuneli i Skërvicës. Ministrja Balluku inspektoi punimet ku dhe sqaroi se ky tunel ka një gjatësi prej 1316 metra dhe është një nyje lidhëse e rrugës strategjike Kardhiq-Delvinë.

Së bashku me dy inxhinierë të ARRSH-së, ministrja Balluku përfshkoi me automjet të gjithë tunelin e Skërficës që do të lidhë qytetet e Gjirokastrës dhe Sarandës.

I pranishëm në kantierin e punimeve ishte edhe kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi, i cili tha se kjo rrugë do të ndikojë në zhvillimin e turizmit. Për shkak të afërsisë që do të ketë mes dy qyteteve, Golemi tha se tashmë edhe Gjirokastra është bërë me det.

“Gjirokastra dhe Tepelena në fakt janë bashkë se dhe oferta turistike që ofrohet është e përbashkët. Dhe në fund fituesja më e madhe është Gjirokastra, sepse ai turisti do kalojë një ditë në Tepelenë dhe do kthehet prapë në Gjirokastër, do kalojë në Sarandë e do kthehet prapë në Gjirokastër. Kemi arritur që në një vit të vështirë të kemi më shumë se 30-40 mijë turistë në një periudhë 2-mujore shumë të vështirë, vazhdon të kemi prapë probleme post-pandemisë. Në fundjavë ne kemi vështirësi që të rregullojmë miqtë dhe shokët në strukturat akomoduese në Gjirokastër kur vetëm numri që kemi në pjesën historike shkon më shumë se 1 mijë shtretër. Patjetër që kjo rrugë i jep tjetër dimension Gjirokastrës, sepse na bëtë me det”, u shpreh kryebashkiaku i Gjirokastrës Flamur Golemi.

Të Fundit