Rrallëkush e di, që nën manaferra, që i gjejmë rrugëve rurale, qëndron një thesar i vërtetë të ardhurash: gjethet, nga shitja e të cilave mund të fitohet para.
Ai që ka guxuar t’i shndërrojë ferrat në të ardhura familjare, është një fermer nga fshati Mujalli i Fierit, Fredi Pirra.
Ekonominë e familjes së tij prej 6 vetash, e ka ngritur me të ardhurat që siguron nga shitja e gjetheve të ferrave dhe bimëve të tjera të egra, të cilat, sipas tij, përbëjnë bimë medicinale.
Fredi Pirra e nis punën çdo ditë në orën 6 dhe punon deri në orën 11. Ferrat e prera i lë aty ku i gjen, grumbuj – grumbuj për 3 ditë deri sa të thahen.
“Sot mund të kem prerë të paktën 1 kuintal. Kjo sasi është një herë në dy ditë, varet nga volumi i ferrës. Këtu vijnë mjeti, makinat, që e marrin, tregtarët që e çojnë në Durrës. Kjo për tre ditë thahet, e lë në këtë vend, thahet këtu, rrihet këtu me mushama në vapë, sepse e ka si puna e fasules që e ka në vapë, në temperaturë të lartë. Gjatë beharit thahet për 2 ditë, në dimër jo. Ka problem me procesin e tharjes. Për rrahjen e ferrës duhet gjysmë dite”, tha Pirra.
Këtë punë, jo fort të lehtë, Fredi ka 5 vite që e bën.
“Këtë e kam punë të përditshme. Ferrën e gjejmë nëpër ugare, nëpër kanale. Tre ditë zgjat procesi tharjes nga dita që pritet; e pret e lë të thahet, e rreh dhe e fut nëpër thasë, e ambalazhon dhe e nis për në treg. Në javë mblidhen 10 thasë dhe sjell rreth 30 mijë lekë në javë”, tha ai.
“Nga Mbrostar Ferko deri në Mujalli, nuk e bënë asnjëri, vetëm unë, pothuaj edhe në zonën e Semanit”, shton Pirra./AbcNews