“PD është shtëpia e çdo demokrati”, Salianji: Përplasje e qartë mes lindjes dhe perëndimit në Shqipëri

TIRANË

Deputeti i PD-së Ervin Salianji deklaroi se është një moment për të vendosur nëse duam të jemi me të ardhmen apo të shkuarën. Nga Kuvendi Kombëtar i PD, Salianji tha se PD është shtëpia e çdo demokrati dhe dera është e hapur për të gjithë, duke iu referuar mbështetësve të Sali Berishës.

Ai deklaroi se Kuvendi zhvillohet në një moment vendimtar, momentin e një përplasjeje të qartë mes lindjes dhe perëndimit në Shqipëri.

FJALA E PLOTË
Të nderuar delegatë, të nderuar anëtarë dhe simpatizantë të Partisë Demokratike, të nderuar kolegë,
Momente si këto, kritike, të forta, të pashmangshme për t’u përballur vijnë rrallë, jo aq rrallë në fakt në këto 8 vite opozite, por ky moment është kulmor jo vetëm në karrierën politike të një politikani. Ky Kuvend, zhvillohet në një moment vendimtar dhe historik për Partinë Demokratike, për Shqipërinë dhe të ardhmen e saj. Në një përplasje të qartë mes lindjes dhe perëndimit në këtë vend dhe jam më shumë se i bindur që kushdo prej jush ndjehet i nderuar që po bën një betejë të drejtë, që është dhe jemi në anën e duhur të historisë.

Nuk ka asnjë dyshim se sot shqiptarët kanë humbur shpresën te e ardhmja, se sot shqiptarët janë më të varfër se tetë vite më parë, se sot emigrojnë më shumë se asnjëherë tjetër, dhe më shumë se sa vendet që janë zyrtarisht në luftë. Nuk ka asnjë dyshim dhe të gjitha raportet ndërkombëtare të besueshme e tregojnë me fakte se papunësia është rritur, se niveli i arsimit është ulur, se shëndetësia e propaganduar si falas është më e shtrenjtë se kurrë, se korrupsioni është në nivele alarmante.

Këtë gjendje ku ndodhet Shqipëria sot e vuajnë më shumë se kushdo tjetër të rinjtë shqiptarë, të cilët kërkojnë një ore e më parë të largohen nga ky vend dhe të krijojnë të ardhmen e tyre në një vend tjetër. Kjo është një fatkeqësi kombëtare, që nëse nuk bëjmë të pamundurën sot për ta ndaluar këtë trend, nesër do të jetë tepër vonë.

Përgjegjësi kryesor për këtë fatkeqësi kombëtare ka vetëm një emër, Edi Rama dhe qeveria e tij. Për tetë vite me radhë Shqipëria ka pasur qeverinë më të korruptuar, më të paaftë dhe më të papërgjegjshme të 30 viteve të pluralizmit shqiptar. Një qeveri e cila ka instaluar një regjim, ku partia në pushtet ka zaptuar të gjitha institucionet, të gjitha pasuritë e shqiptarëve dhe të gjitha liritë dhe të drejtat e tyre. Në këtë kuptim, kjo qeveri është pa as më të voglin dyshim një regjim, i cili duhet rrëzuar një orë e më parë për të mirën e Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Të dashur demokratë, për tetë vite me radhë ne jemi përballur me regjimin e Edi Ramës dhe qeverisë së tij. Kemi përdorur të gjitha mjetet për këtë betejë. Nga ato më të moderuarat te ato më radikalet. Këtë e kemi bërë falë jush, falë sakrificave dhe guximit tuaj që nuk e pranuat asnjëherë të keqen por e luftuat gjithmonë atë. Për këtë arsye ju që jeni sot në sallë dhe të gjitha ata që na ndjekin nëpërmjet mediave meritoni falënderimet dhe respektet më të ndjera dhe të thella. Unë jam i vetëdijshëm se shumë nga ju, kanë vuajtur përndjekjet e këtij regjimi, vetëm e vetëm se ju kundërvutë atij, vetëm e vetëm se jeni demokratë dhe se jeni njerëz të lirë që besoni te idealet dhe bindjet tuaja të palëkundura, vetëm e vetëm se nuk pranuat të shisni besimet dhe vlerat tuaja. Prandaj të gjithë ne, deputetë të Partisë Demokratike dhe drejtues të organeve të saj sot, përkulemi përpara sakrificave tuaja dhe jemi krenar për gjithçka keni bërë në këto tetë vite.

E megjithatë, të gjitha këto nuk mjaftuan për rrëzuar regjimin kriminal të Edi Ramës. Sigurisht të rrëzosh një regjim nuk është aspak e lehtë, por në këto tetë vite padyshim që dhe ne kemi bërë gabimet tona.

Për fat të keq lidershipi i partisë nuk e lexoi drejt votën refuzuese të zgjedhjeve të vitit 2013, pavarësisht se ishim në qeveri kur u zhvilluan zgjedhjet ne nuk lexuam nevojën e shoqërisë për ndryshim, refuzimin e qytetarëve ndaj drejtuesve të paangazhuar në rastin më të mire dhe të korruptuar dhe prepotentë nga ana tjetër, ne nuk lexuam drejt nevojën e demokratëve për tu njohur kontributin dhe meritën, ne nuk u distancuam dot nga drejtues që votat i merrnin falë sakrificës së demokratëve dhe pazaret i bënin me socialist apo me tarafe personale, ne nuk fajësuam veten dhe të reflektonim por fajësuam shoqërinë dhe u ndëshkuam, ne nuk donim të dëgjonim imponimin e votuesve, por tentuam në mënyrë të përsëritur të impononim figura drejtuese të diskredituara dhe të refuzuara nga votuesi, të imponuara pa vullnetin e degëve dhe anëtarësisë.

Por sot jemi këtu edhe për të reflektuar për gabimet tona në të shkuarën si e vetmja mënyrë për të hedhur bazat të sigurt drejt të ardhmes, ashtu sikurse është dhe qëllimi i këtij Kuvendi. E di fare mirë se muajt e fundit nuk kanë qenë aspak të lehta për demokratët. Madje kanë qenë të dhimbshme, kur një pjesë e jona ju bashkëngjiten një lëvizje brenda nesh kundër shumicës së demokratëve. Demokratët e thjeshtë i kuptoj. Disa prej tyre janë me të drejtë të zhgënjyer, disa prej tyre fatkeqësisht të manipuluar dhe të mashtruar. Por gjithsesi ata, pavarësisht gjithçkaje e kanë derën e hapur të Partisë Demokratike gjithmonë. Kjo është shtëpia e të gjithë demokratëve të thjeshtë pavarësisht mendimeve. Prandaj jemi sot këtu. Për tu bashkuar dhe jo për tu ndarë.

Por kurrsesi kjo s’mund të jetë dhe s’duhet të jetë kështjella e asnjë drejtuesi të së shkuarës të tashmes apo të ardhmes i cili ka probleme me korrupsionin, me abuzimin me pushtetin, me mos vlerësimin e demokratëve, e drejtuesve apo ish drejtuesve, ish-drejtorëve apo njerëz të cilët kanë përfituar dhe kanë rrjepur partinë demokratike gjatë viteve të saj në pushtet dhe nuk kanë thyer asnjë kontribut por vetëm kanë përfituar nga sakrifica juaj.

Njerëz të cilët nuk kanë asnjë kontribut dhe nuk mblodhën asnjë votë në zgjedhjet e kaluara, disa i hoqën vota partisë demokratike, madje shumë prej tyre i kishim përballë, disa prej tyre krijuar parti të reja të sponsorizuara nga Edi Rama, të cilët shfrytëzuan këto muaj për ti ngulur kthetrat e tyre Partisë Demokratike dhe për ta bërë atë copa duke parë ëndrra me pushtet dhe poste drejtorësh. Imagjinoni tani këta po na flasin për dhimbjen që kanë për Partinë demokratike.
Nuk kanë për t’ia dalë kurrë të copëtojnë partinë demokratike për interesat e tyre dhe për xhepat e tyre. Askush më nuk duhet ta konsiderojë Partinë Demokratike si vegël të tij personale sa herë që i preken interesat, qoftë ky dhe Sali Berisha.

Një nga gabimet që kemi bërë në këto tetë vite, është pikërisht fakti që nuk jemi pastruar nga pjesët tona më të këqija. Por sot është dita që ta bëjmë më të vendosur dhe më të bindur se kurrë. Partia Demokratike është aset kombëtar dhe jo instrument në duar e dikujt për ta përdorur si mburojë sa herë i preken interesat. Ne s’do ta lejojmë këtë, ju s’do ta lejoni këtë. Prezenca juaj sot në masë të madhe tregon pikërisht këtë gjë. Dhe ky është aseti më i madh i Partisë Demokratike, vlerat tuaja dhe bindjet tuaj. Kjo parti nuk ka dhe nuk duhet të ketë në qendër interesat e asnjë individi, por interesat e përbashkëta të të gjithë demokratëve.

Të dashur demokratë,
Ky Kuvend është edhe një moment për të vendosur nëse do duam të jemi me të ardhmen apo me të shkuarën, nëse do duhet të shikojmë përpara apo mbrapa, nëse do të jemi përkrahë aleatëve tanë ndërkombëtar dhe sidomos Shteteve të Bashkuara të Amerikës, apo në konflikt me ta?
Unë tashmë e kam marr vendimin tim, dhe sot kur ju shohë të gjithë këtu , jam më I bindur se kurrë se kam marrë vendimin e duhur. Historia e Partisë Demokratike sigurisht që është e rëndësishme, por ajo kurrsesi nuk mund të bëhet pengesë për të ardhmen e demokratëve dhe për të ardhmen e shqiptarëve. Në të gjitha partitë politike në vendet demokratike ky ndërrim brezash politikë bëhet me konsensus. Ku ka politikane të përgjegjshëm, ka vetëdije politike se koha e një epokë ka mbaruar dhe e një epoke të re lind. Për fat të keq, Sali Berisha, nuk sakrifikoi as egon për Partinë Demokratike, por kërkon të sakrifikojë Partinë Demokratike për veten.

Por të jeni të sigurt se Partia Demokratike do të ecë përpara më e sigurt se kurrë, më e bindur se kurrë Ky Kuvend që po zhvillojmë sot është në interes të saj dhe në interes të Shqipërisë, pasi vetëm kjo Parti mund ta zhvillojë Shqipërinë dhe të mendojë për të ardhmen e shqiptarëve.
Unë jam i bindur që Partia Demokratike ka të rinj dhe të reja që mund ta marrin në dorë fatin e saj dhe të Shqipërisë. Këtu në këtë sallë, ka me shumicë intelektualë, ka profesionistë, ka njerëz të përkushtuar që do ti kishte zili çdo parti politike europiane.

Madje rinovimi i Partisë sonë është një gjë e domosdoshme për të sjellë atë në pushtet. Përtej çdo demokrati ne duhet të zgjerojmë mbështetjen tonë në masën e madhe të shqiptarëve që mezi pret të largohet kjo qeveri, duke u reformuar Brenda nesh, duke hapur partinë dhe duke ju ofruar shqiptarëve si alternativë profesionistë që Partia Demokratike i ka me shumicë. Jam i bindur se nëse jemi të sigurt për tu ndara nga e shkuara, për tu ndara nga pjesët tona më të këqija, duke para nga e ardhmja, Partia Demokratike do të vijë shumë shpejt në pushtet falë guximit dhe përkushtimit tuaj dhe të gjithë demokratëve. Këtë guxim dhe këtë përkushtim unë e kam parë duke punuar me ta, sidomos me demokratë te Korçës dhe delegatët e saj që janë sot në Kuvend, të cilëve dua t’iu dërgoj një përshëndetje të veçantë për të gjithë besimin që më kanë dhënë për ti përfaqësuar.

Sot kam vendosur të jem me të ardhmen e Partisë Demokratike dhe me ju, sot kam vendosur të jem me Shtetet e Bashkuar të Amerikës dhe Perëndimin, për vlerat që ato përfaqësojnë. Sot kam vendosur të ndjek interesat e demokratëve te thjeshte dhe të ardhmen e tyre dhe gjithë shqiptarëve. Më i bindur se kurrë se kjo është rruga e duhur për Partinë Demokratike dhe Shqipërinë.
Rroftë Partia Demokratike, Zoti e bekoftë të ardhmen e saj!

Të Fundit