Pas protestave, jep dorëheqjen kryeministri i Serbisë! Vuçeviç: Vendimi im është i parevokueshëm

Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviç, në një konferencë të jashtëzakonshme për mediat ka njoftuar dorëheqjen e tij pas protestave të shumta në Beograd.

Mijëra studentë dhe qytetarë kërkuan përgjegjësi penale dhe politike për tragjedinë në qytetin e Novi Sadit, ku më 1 nëntor të vitit të kaluar, 15 persona humbën jetën nga shembja e strehës në stacionin hekurudhor.

“Vendimi im është i parevokueshëm”, theksoi ai, ndërsa shtoi se ka pasur dhe një takim të gjatë me presidentin Vuçiç, i cili pranoi vendimin dhe argumentet tij.

Ndër të tjera, ai deklaroi se dorëheqja vjen edhe si shkak i ngjarjeve të një nate më parë gjatë protestave në Novi Sad, ku ka pasur përplasje mes protestuesve.

“Kjo politikë të cilës i përkas, partia që unë drejtoj, partia që fitoi, duhet të tregojë shkallën më të lartë të përgjegjësisë, të sjellë dhe të tregojë rregulla të reja të së drejtës në politikën serbe, të tregojë se është më e përgjegjshmja.

Pas kësaj ngjarjeje mbrëmë në Novi Sad, vendimi im i parevokueshëm është të jap dorëheqjen si kryeministër i Republikës së Serbisë. Kam pasur një takim të gjatë me presidentin Vuçiç, ai pranoi vendimin dhe argumentet e mia”, tha ai.

Vuçeviç paralajmëroi se gjatë ditës do të japë dorëheqje edhe kryetari i Novi Sadit, Millan Gjuriç.

“Me këtë i plotësojmë edhe kërkesat politike të një pjese të demonstruesve”, tha kryeministri i dorëhequr serb.

Të Fundit