Pas denoncimit në “Stop” policia shpall në kërkim kryeinspektorin e IMT-së Elbasan, si uli gjobën për 2.5 milionë lekë

Kamera e fshehtë e emisionit “Stop” ka “peshkuar” këtë herë inspektorët dhe drejtuesit e IMT-së në Bashkinë e Elbasanit.

Një biznesi në këtë qytet i kanë vënë një gjobë për ndërtimin e një tende pa leje.

Me anë të një sekseri, kryeinspektori i IMT-së Andri Mehja, i ka kërkuar qytetarit një ryshfet prej 2 milionë e gjysmë Lekë për të reduktuar masën e gjobës nga 17 milionë në 5 milionë Lekë. “Stop” e takoi kryeinspektorin e IMT-s, i cili premtoi, se do të ulte gjobën.

Kryeinspektori Andri Mehja dhe një inspektor i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) në Elbasan u shpallën këtë të martë në kërkim nga policia, për akuzën e shpërdorimit të detyrës e korrupsionit.

DVP Elbasan

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan shpallën në kërkim shtetasit A. M., 38 vjeç, me detyrë kryeinspektor në IMT Elbasan dhe B. Q., 50 vjeç, inspektor në IMT Elbasan.

Për këta dy shtetas, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Ata dyshohen se në muajin prill 2024, nuk kanë kryer detyrat funksionale për një objekt të ndërtuar pa leje, në lagjen “28 Nëntori”, Elbasan, dhe kanë marrë rryshfet për këtë favorizim.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, ndërkohë që vijon puna intensive për kapjen e këtyre 2 shtetasve.

Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan falënderon stafin e emisionit investigativ “Stop” dhe fton sërish mediat dhe qytetarët, që të denoncojnë çdo rast paligjshmërie, në numrin 112, duke iu garantuar anonimat të plotë, reagim të menjëhershëm e të paanshëm.

Të Fundit