Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier ka mbërritur ditën e sotme në Tiranë. Kjo është hera e parë në 27 vite që një president gjerman viziton vendin tonë.
Sipas agjendës së publikuar nga presidenca gjermane, në orën 11:30 presidenti gjerman do t’i drejtohet seancës plenare, ku do të mbajë një fjalë përshëndetëse.
Më pas, presidenti federal i Gjermanisë pritet të zhvillojë një takim me kryeministrin Rama.
Në agjendë, Frank-Walter Steinmeier ka të planifikuar edhe një takim me nxënës nga Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, në një diskutim mbi ballafaqimin me të kaluarën komuniste dhe një vizitë në një kompani gjermane.
Gjatë qëndrimit dy ditor në Shqipëri, Steinmeier do të zhvillojë një vizitë në Berat dhe një vizitë në Muzeun e Sigurimit “Shtëpia me Gjethe”.
Vizita e presidentit Gjerman, Steinmeier, vjen vetëm 5 ditë para samitit BE-Ballkani Perëndimor, që për herë të parë do të zhvillohet në Tiranë. Gjithashtu, vizita vjen edhe si pjesë e një turi 4-ditor që Steinmaier e zhvillon në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, dy vende që këtë vit nisën bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Europian.