9 vjet më pas zbulohet e vërteta e vrasjes së bujshme në ishullin Kos të Greqisë, kur 54-vjeçari Jani Zoto u arrestua në shtëpinë e tij për vrasjen me thikë të 43-vjeçares Aciu Flopjca-Aurica, nga Rumania, nënë e 3 fëmijëve të mitur, me të cilën bashkëjetonte prej vitesh.
Ngjarja kishte shkaktuar bujë e indinjim të opinionit publik pasi 43-vjeçarja u gjet e zhveshur në vaskë me shumë goditje me thikë në barkë, organet gjenitale dhe qafë.
Sipas fqinjëve në orën 13:00 të 14 prillit 2014 dëgjuan klithma për ndihmë, ndërsa në 13:30, 54-vjeçari shqiptar doli i tmerruar nga shtëpia duke kërkuar ndihmë për gruan e therur barbarisht.
Megjithëse asnjëherë nuk kishte prova të mjaftueshme për fajësinë e shqiptarit, Jani Zoto u dënua me burgim të përjetshëm për vrasje me paramendim.
Vetëm në prill të vitit 2023 në Gjykatën e Apelit policë grekë kishin dëshmuar për pafajësinë e shqiptarit që buronte si nga ADN i paidentifikuar në thikën dhe trupin e viktimës ashtu dhe nga fakti se 54-vjeçari kishte vetëm 5 minuta që ishte kthyer nga puna, kohë e pamjaftueshme për krimin.
Jani Zoto doli nga burgu në Prill 2023 me të drejtë kryerje dënimi në shtëpi, pa u lejuar të dalë nga Greqia.
Në korrik të po këtij viti, pas një grabitje në një dyqan në Gjermani u arrestua një pakistanez, i cili dëshmoi se është vrasësi i 43-vjeçares, fakt që u konfirmua dhe nga ADN e gjetur në vendin e krimit. Mësohet se pakistanezi në 2014-ën banonte në të njëjtin pallat me çiftin.
Thuajse një dekadë më pas 54-vjeçari shqiptar fiton pafajësinë e tij, jo nga provat e patundshme të pafajësisë, po falë drejtësisë gjermane që ka mundur të zbërthejë kriminelin pakistanez.