Lawrence Faucette, njeriu i dytë në botë të cilit iu transplantua një zemër derri e modifikuar gjenetikisht, ndërroi jetë gjashtë javë pas procedurës eksperimentale. Qendra Mjekësore e Universitetit të Maryland ku u krye operacioni, tha se zemra nisi të shfaqte shenja refuzimi në ditët e fundit.
“Dëshira e fundit e Faucette për ne ishte të bënim maksimumin e asaj që kemi mësuar nga përvoja kështu që të tjerëve mund t’iu jepet një shans për një zemër të re kur organi njerëzor nuk mund të gjendet. Më pas ai i tha ekipit të mjekëve dhe infermierëve që u mblodhën pranë tij se na donte. Do të na mungojë tmerrësisht”, u shpreh dr. Bartley Griffith i cili kreu operacionin eksperimental.
58-vjeçari u pranua në qendrën mjekësore më 14 Shtator pas simptomave të mosfunksionimit të zemrës dhe iu nënshtrua transplantit 6 ditë më vonë. Sëmundjet e zemrës dhe problemet e tij shëndetësore nuk e kualifikonin për transplantin me zemër nga trupi njerëzor.
Shpresa ime e vetme është zemra e derrit, ksenotransplanti”, u shpreh ai gjatë një interviste të zhvilluar nga spitali disa ditë përpara ndërhyrjes.
Në javët e mëvonshme, mjekët thanë se ai kishte përparim të jashtëzakonshëm, merrte pjesë në terapinë fizike dhe kalonte kohë me familjen.
Një muaj pas transplantit, ata besonin se zemra funksiononte në mënyrë të shkëlqyer dhe ia hoqën mjekimet që e ndihmonin. Mjekët e kishin trajtuar pacientin me një terapi antitrupash për të rezistuar ndaj sistemit imunitar në mënyrë që të mos refuzohej organi.
Refuzimi i organit, edhe kur bëhet fjalë për ata njerëzorë mbetet sfida më e madhe e një transplanti.
Në SHBA ka më shumë se 113.000 njerëz në listën e pritjes për një organ dhe 3300 prej tyre kanë nevojë për një zemër. Sipas Donate Life America, 17 persona vdesin çdo ditë në pritje të dhurimit të një organi.
Në Janar 2022, Universiteti i Maryland kreu ndërhyrjen e parë eksperimentale te 57-vjeçari David Bennet, i cili vdiq pas dy muajsh.