Parlamenti i Izraelit ka votëbesuar një qeveri të re, duke i dhënë fund kështu epokës 12-vjeçare të Benjamin Netanyahu në krye të vendit.
Parlamenti votoi me 60 vota pro dhe 59 kundër qeverinë e re që do të drejtohet nga ultra-nacionalisti, Naftali Bennett që do të jetë kryeministër.
Ai do të drejtojë qeveri për pak më shumë se dy vite dhe më pas në krye të qeverisë do të vijë aleati i tij, Yair Lapid. Pjesë e partive që formuan mazhorancën e re janë nga spektri i majtë dhe i djathtë.
Bennett i betuar si kryeministri i ri i Izraelit, është kryetar i një partie të vogël. Për të mbajtur postin e drejtuesit të qeverisë atij do t’i duhet që të ruajë koalicionin e formuar nga një numër i madh partish nga e majta, e djathta dhe qendra.
Tetë partitë e mazhorancës së re përfshijnë dhe një fraksion të vogël arab, duke u bërë partia e parë që bëhet pjesë e qeverisë në histori.
Netanyahu qëndroi i qetë gjatë votimit ndërsa pasi qeveria e re mori votë besimin ai la karrigen për të përshëndetur Bennett.
Netanyahu, i cili aktualisht ndodhet në një proces gjyqësor për korrupsion mbetet kryetari i partisë më të madhe në parlament dhe mundësia që të rikthehet në qeveri mbetet e hapur.