Parlament/ Pas debatesh të ashpra, miratohet Kodi i ri Zgjedhor

Kuvendi ka miratuar ndryshimet në kodin zgjedhore pas një seancë të mbushur me debate dhe tension mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës.

Kodi i ri është votuar me 97 vota pro, nga 84 vota që nevojiteshin për ta miratuar atë. 15 deputetë kanë votuar kundër, ndërsa 5 kanë abstenuar.

Gjatë fjalës që mbajti në parlament, kryeministri Edi Rama theksoi se Partia Socialiste ka bërë shumë për sa i përket kompromisit për reformën, krejt ndryshe nga çfarë do të bënte, sipas tij, ish-kryeministri Sali Berisha.

Sipas tij shumica ka bërë tepër për t’i mundësuar palëve kompromisin, por që kompromisi nuk duhet medoemos të kënaqë njërën apo tjetrën palë.

“Nuk ka kompromis ku një palë i fiton të gjitha, kompromiset e mira janë zakonisht kompromiset ku të gjitha palët kanë arsye për t’u mërzitur. Edhe ne kemi arsye për t’u mërzitur, madje të jemi të qartë më shumë se sa palët që janë në këtë proces, qoftë brenda në Kuvend, qoftë jashtë, por jemi të vetëdijshëm që detyrimin për të bërë kompromisin e nevojshëm për një proces ku të gjithë kanë të drejtë të marrin pjesë, në zgjedhje, është që të heqim dorë nga dëshirat tona. […]

Nga ana tjetër, për ata që nuk janë këtu ky parlament po bën më shumë se sa asnjëherë më parë ndaj një pale që ka qenë këtu brenda, duke i marrë në konsideratë kërkesat e tyre, edhe pse ata e braktisën parlamentin dhe u vetëzhveshën nga e drejta për t’i imponuar parlamentit gjithfarë gjëje”, – u shpreh Rama.

Seanca e sotme në Kuvendin e Shqipërisë u karakterizuar nga debate të ashpra mes palëve. Deputeti socialist, njëkohësisht përfaqësues i mazhorancës në këshillim politik, Damian Gjiknuri në fjalën e mbajtur gjatë seancës së sotme plenare argumentoi pse drafti i mazhorancës është ai i duhur, pasi sipas tij korrigjon çdo lloj anomalie në sistem.

Nga ana tjetër, deputetja Rudina Hajdari foli me tone të ashpra duke bllokuar për minuta të tëra foltoren duke e cilësuar seancën e sotme një pazar të radhës të politikës shqiptare si këto 30 vjet.

 

Të Fundit