Papa Françesku, në gjendje jo të mirë shëndetësore, do operohet

Papa Françesku do operohet në bark pasditen e kësaj të mërkure në spitalin Gemelli të Romës. Ai pritet të qëndrojë në spital për “disa ditë” për t’u shëruar nga operacioni i hernies, tha Vatikani.

Hernia po shkakton simptoma të përsëritura, të dhimbshme dhe përkeqësuese, shtoi zëdhënësi i Vatikanit Matteo Bruni.

86-vjeçari është përballur me një sërë problemesh shëndetësore vitet e fundit dhe përdor një bastun dhe një karrige me rrota për shkak të një sëmundjeje të vazhdueshme të gjurit.

Në një deklaratë, Vatikani tha se ekipi mjekësor i Papës kishte vendosur ditët e fundit se duhej kirurgji.

“Në orët e para të pasdites ai do t’i nënshtrohet një laparotomie dhe një operacioni për rimodelim të murit të barkut… nën anestezi të përgjithshme,” tha zoti Bruni.

“Qëndrimi në objektin shëndetësor do të zgjasë disa ditë për të mundësuar ecurinë normale pas operacionit dhe shërim të plotë funksional”,-shtoi ai.

Papa Françesku e zhvilloi normalisht audiencën e tij javore dhe nuk e përmendi operacionin e tij të planifikuar. Një ditë më parë, Papa ishte në të njëjtin spital të Romës për një kontroll të planifikuar, disa muaj pasi u dërgua në spital me bronkit.

Të Fundit