Papa Françesku: Çiftet nuk duan më fëmijë, por mbajnë mace dhe qen

Ati i Shenjtë bëri thirrje që procedurat e birësimit të lehtësohen për ata që nuk bëhen dot prindër

Papa Françesku ka kritikuar ashpër çiftet që zgjedhin të mos kenë fëmijë.

“Shumë çifte nuk kanë fëmijë sepse nuk duan ose kanë vetëm një sepse nuk dëshirojnë më. Por, ata kanë dy qen apo dy mace. Qentë dhe macet zënë vendin e fëmijëve. Po, e kuptoj, është qesharake, por ky është realiteti”, u shpreh Papa.

Ati i Shenjtë vuri në dukje se në këtë mënyrë qytetërimi po plaket. Ai vuri theksoi edhe lehtësimin e procesit të birësimit për të gjithë ata që nuk mund të kenë fëmijë. Papa tha se nuk mjafton që të lindësh një fëmijë për t’u quajtur baba apo nënë, duke vlerësuar vlerën e birësimit.

Kjo nuk është hera e parë që Ati i Shenjtë bën deklarata të tilla pasi edhe në vitin 2014 foli për këtë çështje për të përditshmen italiane Il Messaggero. Ai u shpreh në atë kohë se të kesh kafshë shtëpiake në vend të fëmijëve është “një fenomen i degradimit kulturor”.

Papa Françesku vuri në dukje se marrëdhëniet emocionale me kafshët shtëpiake janë “më të lehta” sesa marrëdhëniet “komplekse” midis prindërve dhe fëmijëve duke bërë që çiftet ta kenë gjithnjë e më shumë më të vështirë të marrin këtë vendim.

Të Fundit