Paketa për Energjinë, BE i jep 72 mln euro Shqipërisë

Shqipëria ka marrë 72 mln euro nga Bashkimi Europian, pas premtimit të këtij të fundit për ta ndihmuar të dalë nga kriza e energjisë elektrike. Kjo shumë është sa 90% e grantit të premtuar në paketën e parë, cka do të thotë se mbeten edhe 8 mln euro të tjera.

Njoftimi është bërë nga Komisioni Europian, i cili ka bërë shpërndarjen në masë të njëjtë edhe në 5 shtetet e tjera të rajonit, duke disbursuar deri më tani 450 nga 500 mln euro.

Masat, siç përshkruhen në planet kombëtare të veprimit nga qeveritë e Ballkanit Perëndimor, përfshijnë për Shqipërinë subvencionimiin e çmimeve të energjisë për familjet dhe bizneset e vogla e të mesme, ndihma financiare për familjet në nevojë dhe investime të reja në energjinë e erës dhe të diellit.

“Ky transferim i fondeve në masën 450 milionë për gjithë rajonin, pjesa e parë e Paketës për Mbështetjen e Energjisë, u hartua bazuar në planet specifike të veprimit të partnerëve të Ballkanit Perëndimor”, njofton Komisioni Europian.

500 mln euro është vetëm gjysma e grantit që BE ka premtuar për Ballkanin, pasi vitin e ardhshëm 500 mln euro të tjera do të ndahen për projektet e energjisë së rinovueshme, gazit dhe energjisë elektrike, ndërlidhësve, përmirësimit të ngrohjes qendrore dhe rinovimit të infrastrukturës së vjetër të blloqeve të vjetra të banesave, spitaleve dhe ndërtesave publike.

Paketa prej 1 miliard eurosh do të ndihmojë rajonin tonë që të ulië varësinë nga energjia ruse dhe energjia fosile që prodhohet në disa prej shteteve fqinje.

Të Fundit