Pak alkool për festa, konsumi i pijeve alkoolike në Shqipëri, ndër më të ulëtit në Europë

Shqiptarët renditen ndër popujt që konsumojnë më pak pije alkoolike në Europë, të paktën sipas të dhënave zyrtare

Sipas Eurostat, që publikon të dhënat e konsumit sipas fuqisë blerëse për shtetet e Europës, në vitin 2021, konsumi i pijeve alkoolike në Shqipëri ishte sa 19% e mesatares së Bashkimit Europian.

Sipas kësaj renditjeje, vendi ynë ishte i parafundit në Europë, duke lënë pas vetëm Turqinë, me 5% të mesatares europiane.

Të dhënat për Kosovën janë për vitin 2020, por konsumi aty është pak më i lartë se në Shqipëri, me 22% të mesatares europiane.

Kjo peshë e ulët e Shqipërisë mund të lidhet dhe me nivelin e lartë të informalitetit në prodhimin e pijeve alkoolike, teksa vera dhe rakia, në një pjesë të madhe janë prodhim artizanal (shënim i Monitor).

Në rajon, më pijedashësit janë malazezët, me 41% të mesatares europiane dhe serbët, me 41%. Pas tyre renditet Maqedonia e Veriut, me 39%.

 

Në nivele të ngjashme me Shqipërinë është konsumi në Bosnjë Hercegovinë, në 21% të mesatares Europiane.

Ndërsa konsumi është i ulët, çmimet e pijeve alkoolike në Shqipëri janë sa 122% e mesatares europiane, sipas tabelave të Eurostat, duke qenë një faktor që mund të ndikojë në stepjen e konsumatorëve për të blerë këtë produkt. Pijet alkoolike janë më të lirat në Europë në Maqedoninë e Veriut, me 81% të mesatares europiane dhe më të shtrenjtat në Suedi, me 219% të mesatares europiane.

Shpenzimi nominal për frymë për pije alkoolike në Shqipëri në 2021-n ishte 86 euro, përkundrejt 286 euro që është mesatarja e Bashkimit Europian, sipas tabelave të Eurostat.

Shtetet më pijedashëse të Europës

Zviceranët janë të parët në Europë për konsumin e pijeve alkoolike me 208% të mesatares europiane. Pas tyre renditen austriakët (146%), estonezët (139), Letonia (138(, Lituania (137), Gjermania (131), që janë vende kryesisht të ftohta.

Ndërsa ballkanasit dhe vendet e Mesdheut, janë më pak pijedashëset, teksa konsumi i pjeve alkolike është mesatarisht 20-30% më i ulët sesa mesatarja europiane. Psh në Itali treguesi është 69%, në Spanjë 75%. Konsumi është ndjeshëm më i ulët në Greqi, me 28% të mesatares europiane./Monitor

 

 

Të Fundit