Përgjatë vijës bregdetare të Golemit janë instaluar stenda me pajisje jetëshpëtuese për qytetarët që kanë zgjedhur këtë zonë për të pushuar. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha dhe Ambasadorja e Polonisë ne Shqipëri, morën pjesë në prezantimin e këtye stendave që ofrojnë më shumë siguri.
“Pothuajse 5 km vijë bregdetare që mbulohen nga këto pajisje, garantojnë ndërhyrje të shpejtë dhe efektive në rast rreziku në det për shpëtimin e jetëve njerëzore në kohë reale”,- Albana Koçiu, ministre e shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale.
Kociu vlerësoi bashkëpunimin me Ministrinë e Brendshme gjatë këtij sezoni turistik.
“Roja bregdetare, stafi shëndetësor në Qendrat Shëndetësore verore të cilat janë pranë plazheve, por edhe punonjësit e policisë në çdo moment që do të ketë nevoje për një ndërhyrje të shpejtë, sigurojnë që i gjithë zinxhiri dhe gjitha hallkat institucionale të funksionojë në mënyrë të plotë”,- Albana Koçiu, ministre e shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale.
Përgjatë vijës bregdetare në Durrës janë vendosur 5 stenda me pajisje shpëtimi pranë plazheve ku dhe fluksi i pushuesve është më i lartë të cilat mund të përdoren nga kushdo në rast nevoje.
Stendat kanë komerdare shpëtimi, një sistem elektronik kontrolli dhe sinjalizim zanor e cila njofton shërbimet e urgjencës apo edhe pushuesit duke tërhequr vëmendjen në rast rreziku për jetën e një personi në det. Në stendë do të ketë staf nga Urgjenca Kombëtare dhe shërbimi zjarrfikës i Ministrisë së Brendshme.