Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç tha sot se paralajmërimi i Kosovës për të dorëzuar padi për gjenocid kundër Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë është paralajmërim që nënkupton fillimin e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, transmeton Gazeta Express.
“A mund ta kërcënoni Serbinë me procese gjyqësore për gjenocid? Ju mund ta bëni atë vetëm përmes një shteti tjetër, domethënë përmes Shqipërisë – kjo do të nënkuptojë fillimin de facto të bashkimit me Shqipërinë. Unë u kërkoj shqiptarëve nga Kosova të mos e bëjnë këtë”, tha Vuçiç.
Ai gjithashtu u bëri thirrje atyre që, siç thotë ai, “vazhdojnë të kujdesen për Prishtinën si fëmijën e tyre”, të mos e bëjnë këtë.
Ai shtoi se ndërkombëtarët gënjejnë kur thonë se janë kundër ndryshimit të kufijve.
“Kur dëgjoni reagimet e njerëzve nga jashtë dhe kur t’ju thonë se janë kundër ndryshimit të kufijve, ju e dini që ata po ju gënjejnë hapur”, tha Vuçiç.
Qeveria e Kosovës planifikon të ngre padi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë ndaj Serbisë për krimin dhe gjenocidin gjatë luftës.
Këtë synim, kryeministri Albin Kurti e ka deklaruar në fjalën e tij të parë në Kuvend pasi mori pozitën e shefit të Qeverisë.