Gentian Shehaj po vuan dënimin në qeli për një vepër penale të vitit 2013, që sipas tij, nuk e ka kryer kurrë.
Në rrugën “Thanas Ziko” pranë zonës së Selvisë, vite më parë ka ndodhur një aksident dhe një grabitje, për të cilën u fajësua Gentiani.
Motra e tij, e po kështu avokati tregojnë me argumente se pse Gentiani nuk ka gisht në këtë ngjarje. I dëmtuari, Sovjetik Doko dhe dëshmitarët okularë nuk e lidhin Gentian Shehajn me grabitjen, por megjithatë ai vazhdon të vuajë dënimin.
“Bëhet fjalë për një ngjarje, e cila ka filluar në vitin 2013. Diku afër Medresesë ka ndodhur një aksident, ku është përplasur një makinë me një motorçikletë. Pretendohet që brenda në makinë kanë qenë tre persona, të cilët pasi ka ndodhur aksidenti, kanë dalë nga makina dhe kanë bërë një konflikt të vogël me personin që ka patur motorçikletën. Ky i fundit doli më vonë që ishte kambist dhe supozohet që ky ka patur shumë lekë me vete dhe më vonë ka thënë që këto lekë më janë vjedhur nga këta persona, gjë që nuk është vërtetuar”, thotë motra e të akuzuarit.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë nisi një hetim për “grabitje të paramenduar” nga tre personat që ndodheshin në makinën e përfshirë në aksident. Pas një sërë seancash gjyqësore u vendos që Gentian Shehaj u dënua me masën “arrest me burg” për kryerjen e veprës penale “vjedhje me dhunë” në bashkëpunim, për shumën 14 200 euro.
Gjatë hetimit gjyqësor, tabloja e plotë e ngjarjes u ndërtua mbi bazën e dëshmisë së të dëmtuarit nga vepra penale, të personave të tjerë që janë në dijeni të çështjes dhe të provave shkresore të shqyrtuara e administruara në seancë gjyqësore.
Sipas procesverbalit të këqyrjes së personit të pandehur Gentian Shehaj dhe një prej bashkëpunëtorëve të tij në vepër (Ervis Berisha), rezulton se karakteristikat e tyre fizike përputhen me ato të dëshmuara nga okularët në vendin e ngjarjes.
Po kështu në përgjimin ambiental të komunikimeve, të zhvilluara ndërmjet të pandehurit Gentian Shehaj dhe Ervis Berisha përmendet marrëdhënia e tyre me bashkëautorin tjetër Redi Ferizaj, ku thuhet se ai ka 3-4 muaj që ka ikur në Gjermani, por asgjë që mund ta implikojë Gentianin më këtë ngjarje.
“Unë akuzohem për një grabitje që ka ndodhur te “Selvia”. Pretencë kam marrë 10 vjet se kam kërkuar pafajësinë për një ngjarje që s’e kam bërë. Gjykata më ka dhënë 7 vjet. Kam bërë 4 vjet burg, me shtesa 5 vjet e 9 muaj.
Unë kam qenë te lagjia kur ka ardhur policia e më ka thënë që je për një verifikim në Rajonin 3. Pas 2 orësh më kanë çuar te Rajoni 4 dhe më kanë nxjerrë një dosje ku akuzohesha për një shtetas sovjetik, që i kam marrë 14 mijë euro dhe disa dollarë. Nuk e di sesi prokuroria më ka nxjerrë fajtor, por unë di të them që s’kam lidhje fare me ngjarjen.
Momentin që ka ndodhur ngjarja unë s’e di fare se ka ndodhur para një viti e ca. I dëmtuari, që i kanë marrë këtë valutën, vjen në gjyq dhe thotë që nuk është ky personi. Janë shumë dëshmitarë që thonë që nuk është ky personi.
Gjykata nuk u bazua në asnjë vend, vetëm në një dëshmi që është lënë me shkrim, e shtetasit Endri Kroi, që kam qenë në një lokal dhe më ka thënë mos rri afër meje se më kërkon policia për grabitjen që ka ndodhur te “Selvia’”, shprehet Gentian Shehaj nga burgu.
Motra e tij thotë që gjyqet janë shtyrë shpesh për të thirrur një dëshmitar, të cilin asnjë nuk e njoftoi, ndaj dhe i vëllai vijon të vuajë dënimin.
Gjithashtu edhe avokati pohon që nuk ekziston asnjë provë që Gentian Shehaj të ketë kryer veprën penale, për të cilën është akuzuar.
“Për të akuzuar Gentin ka shërbyer një shkelje tjetër shumë e madhe, e kryer nga organi i procedurës, konkretisht nga prokuroria e çështjes. Gjen në ambientet e burgut 313 një person, i njohur që kishte më shumë vendbanim burgun sesa lirinë dhe ai duke qenë banor i lagjes dhe duke njohur Gentin, ia jep të gatshëm çështjen. Prokuroria bën një procesverbal mbi pyetjen e tij, pa prezencën e avokatëve dhe të një personi të tretë”, shton avokati Remzi Ponari.
Prova më e fortë e organit të akuzës është dëshmia e Endri Kroit, e cila në fakt ka mangësi proceduriale. Ndaj gjyqtarja Rezarta Balliu nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë vendosi të rrëzojë këtë dëshmi, duke e nxjerrë të pavlefshme për t’u përdorur nga organi i akuzës.
Avokati i Gentian Shehajt tregon se pavarësisht këtij vendimi, të treja gjykatat e kanë përdorur këtë dëshmi si provë kundër të pandehurve.
Dëshmitare okulare ishte shitësja e një kioske pranë vendngjarjes, e cila ka hedhur poshtë versionin e prokurores së çështjes, Lindita Zigurit, duke pohuar që Gentian Shehaj nuk ka qenë pjesë e ngjarjes.
Gjithashtu vetë i dëmtuari, pranon që i pandehuri që sheh në kafaz nuk është një nga tre personat që e grabitën.
Motra e të akuzuarit shpreson që të vendoset drejtësi, duke thënë: “Shpresoj që nëpërmjet jush të gjendet një zgjidhje dhe dikush t’i marrë këto letra e t’i shikojë. Prokuroria është bazuar në një konflikt me një person tjetër, i cili ka thënë që unë kam dëgjuar në një kafe që në këtë grabitje të supozuar ka qenë edhe Gentiani”.
Moderatori Saimir Kodra shprehet se të gjitha këto materiale që posedojnë do t’ia çojnë Këshillit të Lartë të Drejtësisë për t’i rishqyrtuar dhe Prokurores së Përgjithshme.