Oferta në Dhërmi/ ‘Konsumo një pije dhe merr falas çadrën’, Gonxhja: Shembull pozitiv

Konsumo një pije dhe merr falas çadrën dhe shezlongun, kjo është oferta që bizneset në Dhërmi synojnë që të tërheqin turistët në zonën e tyre.

Përmes një postimi në rrjetet sociale Ministri i Kulturës Blendi Gonxhja shprehet se ky është një shembull pozitiv kur oferta e shërbimit vihet e para nga rëndësia, jo e kundërta

“Çadra dhe shezlongu GRATIS nëse konsumon diçka, shembull pozitiv nga Dhërmiu, kur oferta e shërbimit vihet e para nga rëndësia, jo e kundërta.

Patjetër që prioritet i yni është plazhi, pushimi, turizmi i përballueshëm, i aksesueshëm nga çdo xhep e shije, i drejtë për raportin çmim/cilësi, kosto/kënaqësi, i fiskalizuar, jo kurth, duke garantuar edhe industrinë e ekonominë, edhe të ardhura të vetëqendrueshme vendore por edhe alternativat për të gjithë – tipologjitë e stacioneve të plazhit private, ato publike të menaxhuara nga vetë bashkitë si dhe ato të virgjëra me detyrimet respektive të siguri/higjenës.

Sivjet kemi rritur sipërfaqet e plazhit publik, kemi investuar në sinjalistikë orientuese, në tarifa më ekonomike dhe po punojmë për administrimin e sezonit turistik në koordinim ndërinstitucional, me kalendar të pasur aktivitetesh dhe promovim kulinarie, trashëgimie, sporti”, shkruan Gonxhja.
Ndër të të tjera ai thekson se Shqipëria konfirmohet bindshëm si një destinacion model i mikpritjes, me operim gjithëvjetor të mirëstrukturuar e gjithnjë e më të ndërgjegjësuar mbi vlerën e një qasjeje afatgjatë të të bërit biznes e të një tregu të qendrueshëm, si dhe me ndjeshmëri të lartë mjedisore pa harruar se e tërë vija bregdetare, liqenore e lumore janë pasuri kombëtare

“Natyra, qetësia, relaksi, pastërtia janë objektivat tona më të rëndësishëm. Dimensioni kulturor e social pasurojnë eksperiencën dhe reputacionin turistik”, përfundon Gonxhja.

Të Fundit