Rreth 800 mijë shqiptarë vuajnë nga hipertensioni, sipas raportit më të fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), duke e vendosur këtë sëmundje si një nga sfidat më të mëdha shëndetësore në vend. Të dhënat e OBSH-së tregojnë se 47% e popullsisë së moshës 30–79 vjeç janë të prekur nga tensioni i lartë i gjakut, shumë mbi mesataren globale prej 34%.
Pavarësisht numrit të lartë të të prekurve, vetëm 49% e tyre janë të diagnostikuar, 38% marrin trajtim, ndërsa vetëm 11% e mbajnë sëmundjen nën kontroll. Kjo e rendit Shqipërinë ndër vendet me përqindjen më të ulët të menaxhimit të hipertensionit në rajon, shumë larg objektivit global të OBSH-së që synon kontrollin e të paktën 50% të rasteve.
Sëmundjet kardiovaskulare, të lidhura ngushtë me hipertensionin, përbënin gati 50% të të gjitha vdekjeve në Shqipëri në vitin 2022. Nga këto, 59 raste për çdo 100 mijë banorë kishin si shkak të drejtpërdrejtë tensionin e lartë të gjakut.
Sipas OBSH-së, një nga shkaqet kryesore të përhapjes së hipertensionit në Shqipëri është konsumi i tepërt i kripës. Shqiptarët konsumojnë mesatarisht 13 gramë kripë në ditë, më shumë se dyfishi i sasisë së rekomanduar nga OBSH (5 gramë). Kjo tepricë ndikon drejtpërdrejt në rritjen e presionit të gjakut dhe rrezikun për sëmundje të zemrës dhe goditje në tru.
Përveç kripës, faktorë të tjerë që përkeqësojnë situatën janë duhanpirja, konsumi i alkoolit dhe mungesa e aktivitetit fizik. Rreth 26% e të rriturve shqiptarë mbi 15 vjeç janë duhanpirës aktivë, ndërsa 24% e të rriturve mbi 18 vjeç rezultojnë fizikisht joaktivë. Këta faktorë jo vetëm rrisin rrezikun për hipertension, por edhe e përshpejtojnë progresin e tij drejt sëmundjeve të rënda kardiovaskulare.
Edhe pse Shqipëria ka miratuar një strategji kombëtare për menaxhimin e hipertensionit dhe sëmundjeve kardiovaskulare, zbatimi i saj lë për të dëshiruar. OBSH thekson nevojën për forcimin e kujdesit parësor, përmirësimin e aksesit në trajtim dhe zhvillimin e fushatave ndërgjegjësuese për publikun.
Gjithashtu, mungesa e një sistemi të integruar të dhënash klinike pengon ndjekjen e pacientëve dhe matjen efektive të rezultateve të trajtimit.