Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u paraqit këtë të hënë në Prokurorinë e Posaçme në zbatim të masës së sigurisë “Detyrim Paraqitje”, e cila u rivendos nga Apeli i GJKKO më datë 3 janar.
Paraqitja e Berishës në SPAK u shoqërua nga një grumbullim mbështetësish të Partisë Demokratike, përfshirë figura të larta drejtuese të kësaj force politike.
Protestuesit qëndruan para ambienteve të prokurorisë, duke e cilësuar masën si një sulm të padrejtë dhe të motivuar politikisht ndaj liderit të opozitës.
Nën brohorimat “O Sali, o hero”, simpatizantët e PD pritën kryedemokratin në hyrje të Prokurorisë së Posaçme.
Ai hipi mbi makinën që e shoqëroi, ku përshëndeti shkurtimisht simpatizantët duke bërë simbolin me dy gishta lart.
Në një prononcim për mediat, ish-deputeti i PD-së, Belind Këlliçi, deklaroi se procesi ndaj Berishës është një goditje e qëllimshme ndaj opozitës.
“Është vendosur një masë sigurie që nuk e kërkonte as SPAK. Ne jemi këtu sepse kjo goditje është në vazhdën e sulmeve ndaj Partisë Demokratike, opozitës dhe kryetarit të saj, me vendime tërësisht të montuara politike,” tha Këlliçi.