Nxori në pritë shokun e fëmijërisë, dënohet me 21 vite e 4 muaj burg Mikel Alia

Është dënuar nga Gjykata e Lezhës me 21 vite burg e 4 muaj Mikel Alia, i cili nxori në pritë shokun e tij të ngushtë.

42-vjeçari u shpall fajtor për veprat penale “Vrasje me paramendim” dhe “Armbajtje pa leje”, për vrasjen e Eri Zefit.

Trupa gjykuese dha dënimin maksimal për Mikel (Gjovalin) Alinë, me 32-vite burg, dy vite më shumë seç kishte kërkuar prokuroria, por ai ka përfituar nga gjykimi i shkurtuar dhe dënimi iu ul në 21 vite e 4 muaj burg.

Mikel Alia dhe 34-vjeçari ishin miq që prej fëmijërisë, ndërsa 42-vjeçari akuzohet se e nxori në pritë Eri Zefin, për ta ekzekutuar.

Alia është personi i vetëm i marrë i pandehur për vrasjen e Eri Zefit, në Zall Xhuxhë të Mirditës dhe ai u zbulua përmes mesazheve, tabulateve telefonike e pamjeve filmike.

Sipas dosjes Hetimore, 42-vjeçari Alia i kishte kërkuar shokut të fëmijërisë ta ndihmonte për të vjedhur një sasi kanabisi në zonën malore të Mirditës, ku ndodhi krimi. Ekzekutorët ndërkohë besohet se ishin dy persona të tjerë, që mbeten ende të paidentifikuar.

Për të mbërritur tek ta, prokuroria e Lezhës i kërkoi 42 vjeçarit Mikel (Gjovalin) Alia të bashkëpunojë me drejtësinë në këmbim të lehtësirave. Por ai në vazhdimësi ka mohuar çdo lidhje me vrasjen duke u deklaruar i pafajshëm.

Ngjarje e rëndë ndodhi më 2 tetor të vitit 2019 në fshatin Zall-Xhuxhe të Njesisë Administrative të Fanit në Mirditë.

Të Fundit