Prej muajsh nuk kanë konsumuar një vakt me mish, pulë apo peshk, nuk arrijnë të blejnë ilaçet apo të paguajnë qiranë por të pamundur dhe për të përballuar shpenzime të papritura. Kjo është shkalla e privimit material dhe përjashtimit social që e rendit Shqipërinë një ndër vendet me përqindjen më të lartë të këtij treguesi në Europë.
“Zakonisht mishin se marrim, peshk s’bëhet llaf fare. Me 200 mijë lekë që marrë unë s’del asgjë, ushqimi qiraja etj. As për një kafe s’del”,–shprehen qytetarët. “Disa kanë këpucë sa s’dinë sa kanë këta janë pakica ndërsa shumica kanë veshjet e stinës jo më shumë”, tha për media, sociologu Zyhdi Dervishi.
Janë 7 nga 13 kategori jetike të cilat nuk përballohen dot nga shqiptarët. Këtë fenomen të matshëm sociologët e konsiderojnë si një mangësi të strukturave drejtuese në orientimin e qytetarëve drejt tregut të punës dhe realizimit të të ardhurave. “Nuk ka struktura të cilat merren me punësimin e njerëzve sistemin dhe orientimin e tyre. Shumë familje në Shqipëri detyrohen të lypin ndihma kur ndodhen në vështirësi”, shtoi Dervishi.
Shumica e shqiptarëve ushqehen nën normat minimale që ka Europa. Në Europë privimi material dhe social u rrit më shumë në 2023 ku kryeson Rumania me 19.8%, e ndjekur nga Bullgaria (18.0%), Greqia (13.5%), Hungaria (10.4%) dhe Spanja (9.0%).