Edhe pse jo duke e përmendur me emër, Aleksandër Vuçiç mbrëmjen e sotme në “Ditarin Kombëtar” në TV Pink ka sulmuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti duke e cilësuar si marksist dhe eneverhoxhist.
Teksa nënvizonte se Beogradi asnjëherë nuk ka pasur bisedime reale me Prishtinën, Vuçiç tha se mes Beogradit dhe Prishtinës nuk ka pasur asnjëherë bisedime reale.
“Ata u përpoqën të përdorin truke për të fajësuar në çdo mënyrë Beogradin për çdo të keqe që ndodh në fushë. Kemi të bëjmë me njerëz enverhoxhistë, ideologji anarkiste-marksiste-enverhoxhiste. Ata nuk duan një bisedë sepse pretendojnë se janë një shtet sovran. Sigurisht që ideologjia e tyre ka qëllimet e veta dhe e para është dëbimi i serbëve dhe shkatërrimi i popullit serb në Kosovë. Do të shohim nëse KFOR-i do ta mbajë fjalën që na dhanë se nuk do të ketë hapje të asaj ure pa marrëveshje me serbët”, tha Vuçiç.
Më tej, Vuçiç deklaroi se nesër do të marrë pjesë në drekën e punës të organizuar për liderët e Ballkanit Perëndimor nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe nënvizoi se ky do të jetë një takim i rëndësishëm ku do të diskutohen edhe problemet me Kosovën.
“Sigurisht që do të jetë një takim i rëndësishëm ku do të diskutohet Agjenda e Rritjes, reformat e nevojshme në rrugën drejt një tregu të vetëm evropian, që do të thotë një treg i vetëm ballkanik para kësaj. Vetëkuptohet se do të diskutohet për problemet dhe gjithçka tjetër, por besoj se do të jetë një takim i rëndësishëm në të cilin Presidenti i Komisionit Evropian do të na tregojë se Marta Kos do të udhëheqë pjesën e KE-së përgjegjëse për zgjerimin dhe BE-në”.