Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial (ISHTI) ka dalë me një vlerësim paraprak lidhur me ngjarjen e ndodhur në një pikë karburanti në zonën e Brrylit, në Tiranë.
Sipas ISHTI-së, nuk ka pasur shpërthim të rezervuarëve të karburantit. Nga inspektimi paraprak në një stacion të shitjes me pakicë të karburanteve, dyshohet se zjarri ka nisur nga një automjet që ndodhej në territorin e pikës së karburantit.
“Dyshohet se zjarri ka nisur nga një automjet në territorin e stacionit të karburanteve, i cili është shoqëruar edhe me eksplozion”, bëri me dije ISHTI.
Sipas institucionit, grupi i inspektimit vijon vlerësimin e situatës për të përcaktuar në mënyrë të plotë shkaqet dhe rrethanat e ngjarjes.
Ngjarja u regjistrua në orët e para të mëngjesit në një pikë karburanti në zonën e Brrylit, ku më herët u raportua për dëmtimin e tre punonjësve të karburantit. Ata u transportuan në spital për ndihmë mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.



