Ngacmoi seksualisht 25-vjeçaren në vendin e punës, e reja humb ndjenjat. Arrestohet 55-vjeçari

Një vajzë 25-vjeçare, punonjëse në një subjekt privat është çuar pa ndjenja në spitalin e Pogradecit.

Pas referimit të ngjarjes nga mjekët në polici, kjo e fundit ka nisur hetimet dhe ka marrë në pyetje vajzën.

Nga deklarimet e 25-vjeçares rezultoi se ajo ishte ngacmuar seksualisht në vendin e saj të punës nga shtetasi Arian Mema dhe për pasojë kishte humbur ndjenjat nga tronditja.

Sipas policisë, 25-vjeçarja vuante nga epilepsia dhe ka pësuar tronditje emocionale për shkak të ngacmimit nga 55-vjeçari.

E gjithë ngjarja kishte ndodhur teksa Mema ka qenë duke montuar një panel diellor në subjektin ku vajza punonte si pastruese.

Pas deklarimeve të 25-vjeçares me origjinë nga Trebinja e Mokrës, policia ka vënë në pranga Arian Memën me akuzën e ngacmimit seksual.

Arian Mema është i njohur për policinë, pasi për një ngjarje të tillë është akuzuar edhe në 2020, vit kur punonte si inspektor tatimesh në Drejtorinë e Tatimeve të Korçës. Pas arrestimit të atëhershëm, ai u shkarkua nga puna dhe punonte në sektor privat me shitje dhe montim panele diellorë.

Tashmë pas 3 vitesh ai bie sërish në prangat e policisë me të njëtën akuzë, atë të ngacmimit seksual.

Mësohet se ai është shoqëruar në paraburgimin e Korçës e më pas do të njihet me masën e sigurisë nga gjykata.

Të Fundit