Netanyahu: Eliminimi i udhëheqësve të Hamasit do të çojë fundin e luftës në Gaza

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi sot se eliminimi i udhëheqësve të Hamasit që jetojnë jashtë Gazës, përfshirë ata në Katar, do të hapte rrugën për përfundimin e luftës dhe lirimin e pengjeve izraelite.

“Udhëheqësit terroristë të Hamasit që jetojnë në Katar nuk interesohen për fatin e popullit të Gazës. Ata kanë bllokuar përpjekjet për armëpushim me qëllim që ta zgjasin luftën për një kohë të pacaktuar. Eliminimi i tyre do të lejonte eliminimin e pengesës kryesore për lirimin e të gjithë pengjeve tona dhe përfundimin e luftës,” shkroi Netanyahu në një postim në platformën X (ish-Twitter), pas raportimeve për sulme ajrore në Doha.

Ndërkohë, familjet e pengjeve izraelite kanë reaguar ashpër ndaj deklaratës së Kryeministrit, duke e akuzuar atë se është vetë pengesa kryesore për përfundimin e konfliktit.

“Operacioni që u zhvillua në Katar dëshmoi pa asnjë dyshim se ekziston një pengesë për kthimin e pengjeve dhe përfundimin e luftës: Kryeministri Netanyahu. Sa herë që është gati të arrihet një marrëveshje, Netanyahu e saboton atë”, thuhet në një deklaratë të Forumit të Familjeve të Pengjeve, lëshuar këtë të premte.

Tensionet mbeten të larta mes qeverisë izraelite dhe familjeve të pengjeve, ndërsa përpjekjet ndërkombëtare për arritjen e një armëpushimi vijojnë.

Të Fundit