Nënshkruhet marrëveshja, Policia e Shtetit dhe Inspektorati i Përgjithshëm bashkojnë forcat

Paraditen e kësaj të marte, më 21 prill, në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet Policisë së Shtetit dhe Inspektoratit të Përgjithshëm, për një punë “të koordinuar për parandalimin dhe goditjen e ndërtimeve pa leje, krimeve mjedisore, punës së paligjshme dhe shkeljeve në tregun e punës, si dhe për rritjen e sigurisë ushqimore, barnave dhe pajisjeve mjekësore“.

Marrëveshja sipas tyre, ka si qëllim vendosjen dhe zhvillimin e një bashkërendimi të qëndrueshëm, efektiv dhe të strukturuar mes palëve, në funksion të mbrojtjes së interesit publik, si dhe parandalimit dhe goditjes së kriminalitetit në fushat e përgjegjësisë së secilit institucion.

Hita theksoi se Policia e Shtetit është e angazhuar maksimalisht për të mbështetur Inspektoratin, në nivel qendror dhe lokal, si dhe çdo institucion tjetër, me qëllim zbatimin e ligjit dhe rritjen e sigurisë së jetës për qytetarët.

Ndërkaq, Sula vuri theksin te rëndësia e nënshkrimit të marrëveshjes, e cila ka për qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, në funksion të garantimit të zbatimit të legjislacionit në fuqi, forcimit të shtetit të së drejtës, mbrojtjes së interesit publik, si dhe parandalimin dhe goditjen e kriminalitetit në fushat me interes të përbashkët.

Fokusi i kësaj marrëveshjeje do të jetë veçanërisht mbështetja e inspektimeve të strukturave të Inspektoratit të Përgjithshëm, inspektorateve qendrore dhe vendore, si dhe strukturave të tjera inspektuese, në sektorë me risk të lartë, si: ndërtimet pa leje, krimet mjedisore, siguria ushqimore, barnat dhe pajisjet mjekësore, puna e paligjshme dhe shkeljet në tregun e punës, duke garantuar ndërhyrje të koordinuar dhe efektive gjatë ushtrimit të detyrës, në rastet e rezistencës fizike, pengimit në kryerjen e detyrave apo për mbrojtjen e personelit, nga subjektet e proceduar të inspektimit apo individë të ndryshëm.

Gjithashtu, marrëveshja synon rritjen e kapaciteteve profesionale përmes trajnimeve të përbashkëta, shkëmbimit të ekspertizës dhe unifikimit të praktikave të punës, si dhe informimin e publikut, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe respektimin e konfidencialitetit.

Sjellim ndërmend se Dashnor Sula u emërua në këtë detyrë më 6 shkurt, pasi mbeti jashtë parlamentit pas zgjedhje të 11 Majit të vitit 2025, ndërkohë që më parë ka qenë deputet i Partisë Demokratike. Pranimin e kësaj detyre, kryedemokrati Sali Berisha e ka konsideruar “tradhti të lartë”.

Të Fundit