Teksa në Hagë po zhvillohet seanca ku pritet të shpallet vendimi i shkallës së parë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, familjarët e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit po e ndjekin me ankth procesin.
Nëna e Hashim Thaçit, Hyra Thaçi, nuk është në dijeni se sot pritet të shpallet vendimi nga Dhomat e Specializuara të Kosovës. Familjarët kanë vendosur të mos ia tregojnë lajmin për shkak të gjendjes së saj shëndetësore dhe do ta informojnë vetëm në rast se Thaçi lirohet.
Këtë e ka bërë të ditur kushëriri i Hashim Thaçit, Halim Thaçi, i cili ka folur për mediat në Kosovë. Ai tha se familja po pret me shpresë një vendim që do të mund t’u sillte lajmin e shumëpritur për lirimin e ish-kryeministrit.
“Nuk i kanë treguar. E nëse na gëzon Zoti, atëherë do t’ia lajmërojmë dhe do të vijmë të gëzohemi. Nëse dënohet, nuk mundemi t’i tregojmë kurrë gjë”, u shpreh Halim Thaçi.
Ai shtoi se familja dhe shoqëria e kanë ndier prej kohësh mungesën e Hashim Thaçit. “Po presim që sa më parë të lirohet. Shumë mungesë kemi pasur për Hashimin, si për prindër, si për shoqëri, si për krejt Kosovën”, tha ai.




