Diana Bahçja është arrestuar nga policia e Shkodrës vetëm 8 ditë pasi është bërë nënë.
Shkak është bërë një gjobë që gjykata e shkallës së parë në Tiranë i ka vendosur në vitin 2020.
Bëhet fjalë për një gjobë prej 2 milionë e 500 mijë lekëve të vjetr, e cila është konvertuar një javë më parë në dënimin me 1 muaj e 20 ditë burg.
Bashkëshorti i saj Naim Bahçja nga fshati Drisht i Postribës në Shkodër thotë se prej një jave po kujdeset për fëmijën e tij të porsalindur. Naim Bahçja thotë se bashkëshortja e tij u arrestua një javë më parë kur djali i saj ishte vetëm 8 ditësh, i porsalindur pa pasur asnjë dijeni as për gjobën e vendosur para tre vitesh dhe as për vendimin e dënimit me burg.
Diana Bahçja është dënuar për braktisjen e një fëmije nga martesa e parë, por ajo mohon se e ka braktisur vajzën e saj. Në një bisedë telefonike nga burgu i grave në Tiranë, e dënuara thotë se ish-bashkëshorti pasi e ka keqtrajtuar e ka nxjerrë nga shtëpia duke mos ia lënë as vajzën. Aktualisht për djalin që sapo ka mbushur dy javë nga momenti i lindjes kujdeset babai Naimi dhe mbesa e tij 11 vjeçe duke treguar se e kanë shumë të vështirë qoftë për ushqyerjen, por edhe për përkujdesjen ndaj foshnjës.
Apeli i 28-vjeçarit është që bashkëshortja e tij të lirohet sa më parë dhe të kthehet tek fëmija i porsalindur ndërsa tregon se është i gatshëm që të marrë edhe vajzën që bashkëshortja e tij ka nga martesa e parë.
“Gruaja ime ka qenë e martuar edhe një herë. Pas celebrimit, e ka akuzuar ish burri që ka pasur dhe pa e ditur ka ardhur një gjobë 2 milionë e gjysmë lekë për braktisjen e fëmijës. E kanë arrestuar gruan pa vetëdije, s’ka ditur gjë për gjobën dhe është marrë pa deklaratë. Fëmijën nuk e ka braktisur, e ka nxjerrë burri jashtë. Gruaja ka qenë në shtpëi kur e kanë arrestuar. Fëmija ka qenë 8 ditësh. Është arrestuar pa asnjë letër.
Apeli im është të lirohet gruaja e të vijë te fëmija. Bashkëshortja është te burgu i grave në Tiranë. Nuk di të kujdesem për fëmijën njësoj si ajo. Fëmijën e parë nuk ia ka lënë burri. Po e mbajmë fëmijën me qumësht të blerë se ia kanë hequr gjirin e nënës. E kam pasur të vështirë. Për 2 ditë fëmija vetëm qante derisa u mësua.
Më ka marrë operative i zonës në telefon e më ka thënë do të të marr vec të hedhësh një firmë. Në rregull i thashë. Sa shkuam te komisariati i Shkodrës, i nxorrën një letër, i thanë firmose. Ajo e mori letrën dhe ma morën si një zog që ik nga dora e se kam parë më. Po, jam i gatshëm të mbaj edhe fëmijën nga martesa e saj e parë”, tha Naim Bahçja.
E dënuara Diana Bahçja është nga Burreli ndërsa edhe ish-bashkëshorti i saj që e ka denoncuar për braktisjen e fëmijës së parë disa vite pas divorcit është nga Burreli, denoncim që e ka bërë pasi Diana është martuar për herë të dytë në Shkodër. Është e paqartë se cila është historia mes këtij ish-çifti dhe përse nëna nuk e ka marrë vajzën nga martesa e parë apo se çfarë ka vendosur gjykata për këtë rast