Materialet që përdoren për ndërtimin dhe termoizolimin e pallateve, sipas ekspertëve, janë shkaqet kryesore për rrezikun nga zjarret.
Sipas tyre, duhet një kontroll më i rreptë për sa i përket mënyrës së përdorimit të tyre në ndërtim.
“Më parë duhet të vendosim certifikimin, të vendosim disa standarde ku gjërat të mos mbeten në dorën e ndërtuesit. Në momentin që një material hidhet në treg, duhet të jetë i specifikuar mirë se për çfarë duhet të përdoret dhe cilat janë kushtet teknike që vendoset ose jo në objekt. Material i tillë nuk duhet të përdoret pa kriter”, thotë për Tv Klan inxhinieri i ndërtimi, Erion Softa.
Plotësimi i kushteve të emergjencës në shumicën e rasteve nuk është problem, pasi si në pallatet e reja edhe në ato të vjetra ekzistojnë mundësitë e evakuimit.
Por inxhinierët e ndërtimit thonë se këto masa duhet të plotësohen më tej.
“Po ashtu duhet të vendosim sensorë kundër zjarrit në të gjithë objektin. Në momentin që kemi zjarr, sistemi elektrik duhet të reagojë, pasi mund të sjellë humbje jete. Duhet të kemi patjetër lajmërimin që të evakuohen banorët dhe këto masa duhet të vendosen menjëherë në protokollet e ndërtimit”, shton Softa.
Gjatë një viti, në kryeqytet regjistrohen afërsisht rreth 200 raste zjarri në objekte banimi, dhe sipas ekspertëve problematike janë garazhet nëntokësore.
Të martën, një pallat në zonën e Farmacisë 10 u përfshi nga flakët.
Tetë persona përfunduan në spital për shkak të asfiksisë.



