Në shtator, 1 mijë të arrestuar! U sekuestruan 500 mijë euro, asgjësohen 60 mijë rrënjë kanabis

Policia e Shtetit bëri bilancin e muajit shtator, gjatë të cilit tha se janë realizuar 83 operacione policore, të cilat kanë vënë në pranga 937 autorë të dyshuar krimesh, janë asgjësuar 60.705 bimë dhe 15.564 fara kanabisi, si dhe janë sekuestruar 223 kg kanabis, 6 kg kokainë, sasi heroine, 68 kallëpe tritoli, 4 mina me telekomandë, 44 armë zjarri, 43 granata dhe 12 armë gjahu.

Rreth 445 000 euro, si dhe mallra me vlerë rreth 500.000 euro, u sekuestruan nga Policia ndërsa nga shërbimet e Policisë Kufitare, në disa Pikë Kalime Kufitare, si rezultat i 17 operacioneve të finalizuara kundër krimeve ekonomiko-financiare.

Janë zbardhur 43 vjedhje në banesa ose në biznese të ndryshme. Policia ndërhyri për 52 raste zjarrvëniesh, ku janë arrestuar 21 persona, 31 u proceduan në gjendje të lirë dhe një tjetër u shpall në kërkim.

U finalizuan 10 operacione kundër transportimit të emigrantëve, kundrejt pagesave, për të kaluar ilegalisht kufirin, me destinacion vendet e BE-së.

4 persona të kërkuar ndërkombëtarisht për vrasje, trafikim të drogës, marrëdhënie seksuale me dhunë ose mashtrim, u kapën me qëllim ekstradimin.

Janë vënë në pranga 222 drejtues mjetesh, nga të cilët 130 për drejtim të mjetit në gjendje të dehur dhe 92 për drejtim të mjetit pa leje drejtimi.

Janë pezulluar 499 leje drejtimi, nga të cilat 356 për tejkalim të normave të shpejtësisë, 78 për drejtim mjeti, nën ndikimin e pijeve alkoolike dhe 65 për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.

Janë konstatuar dhe goditur: 48 raste të kalimit të paligjshëm të kufirit, 10 raste të mos deklarimit të të hollave, 9 raste të përdorimit të dokumenteve false, 9 raste të kontrabandimit të mallrave të ndryshme dhe 6 raste të trafikimit të mjeteve motorike.

Të Fundit