Në Sarandë ligji nuk fle, thjesht pret të konsultohen kushërinjtë Mariglen dhe Esmeralda Basho

Prokurorja e gatshme për rastin rezulton të jetë Esmeralda Basho, kushërira e parë e oficerit Mariglen Basho.
Në Sarandë, pas arrestimeve të fundit në polici, qytetarët kanë nisur të ankohen më shumë se zakonisht. Por duket se sistemi nuk është i papërgatitur. Përkundrazi, ai funksionon me një “koordinim familjar” për t’u pasur zili.
Rasti i fundit lidhet me një denoncim për ndërtim pa leje, ku qytetarët pretendojnë se oficeri i policisë Mariglen Basho nuk është paraqitur në vendngjarje në kohë, por vetëm pas disa orësh pritjeje dhe pas ankesave pranë Drejtorisë së Vlorës dhe AMP-së.
Deri këtu mund të thuash, vonesë normale institucionale. Por pastaj vjen pjesa më “e bukur” e historisë. Prokurorja e gatshme për rastin rezulton të jetë Esmeralda Basho, kushërira e parë e oficerit Mariglen Basho.

Pra, qytetari denoncon. Policia vonohet. Oficeri vjen pas disa orësh. Pastaj çështja shkon te prokuroria. Dhe aty, për fat të mirë, nuk bie në dorë të ndonjë të panjohuri, por mbetet brenda rrethit familjar.
Pyetja është e thjeshtë: a do të hetohen veprimet e Mariglen Bashos, apo do të marrin fillimisht një mendim familjar? A do të ketë procedim të paanshëm, apo do të zbatohet parimi i ri, “çështjet e policisë zgjidhen me gjakftohtësi dhe me kushërinj”?

Në një shtet normal, një situatë e tillë do të ngrinte menjëherë dyshime për konflikt interesi dhe do të kërkohej shmangia nga çështja. Por në Sarandë, mesa duket, konflikti i interesit nuk shihet si problem. Shihet si lehtësi komunikimi.

Tani qytetarët presin të mësojnë nëse ligji do të zbatohet, apo nëse do të kërkohet më parë miratimi familjar për veprimet dhe mosveprimet e policisë.
Sepse në fund, problemi nuk është vetëm ndërtimi pa leje. Problemi është kur institucioni duket sikur nuk vepron si shtet, por si fis./ Avokat Arben Llangozi

Të Fundit